BQE-ja ka zbuluar dhjetë dizajnet finaliste për kartëmonedhat e ardhshme euro. Temat e kulturës dhe natyrës paraqesin Leonardo da Vinçin, Maria Callasin, Beethovenin, Marie Curie dhe zogjtë që simbolizojnë biodiversitetin e Evropës.
Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka prezantuar modelet e përzgjedhura për rinovimin e parë të kartëmonedhave euro që prej daljes së tyre në vitin 2002. Qytetarët evropianë do të kenë mundësi të shprehin mendimin e tyre nëse në kartëmonedhat e reja duan të shohin figura të rëndësishme historike të Evropës apo elemente nga natyra, si lumenj dhe zogj.
Seria e parë e modeleve të propozuara për kartëmonedhat përfshin figura të njohura si këngëtarja e operës me origjinë greko-amerikane Maria Callas, kompozitori gjerman Ludwig van Beethoven, shkencëtarja franko-polake Marie Curie-Skłodowska, shkrimtari spanjoll Miguel de Cervantes Saavedra, polimati italian Leonardo da Vinci dhe aktivistja austriake për paqen Bertha von Suttner.
Në pjesën e pasme të këtyre kartëmonedhave paraqiten hapësira të përgjithshme kulturore evropiane, si biblioteka, universitete dhe sheshe publike.
Sipas BQE-së, këto figura përfaqësojnë “personalitete ikonike evropiane që kanë kontribuar në ndërtimin e trashëgimisë kulturore të Evropës” dhe arritjet e tyre “kanë pasur jehonë në mbarë botën”.
Por adhuruesit e natyrës mund të zgjedhin një alternativë tjetër, një seri kartëmonedhash që paraqet lumenj dhe zogj. BQE-ja thotë se ky koncept “nxjerr në pah qëndrueshmërinë dhe diversitetin e ekosistemeve natyrore të Evropës” dhe synon të tregojë “rëndësinë e natyrës dhe mbrojtjes së mjedisit”.
Këto modele përfshijnë kombinime të tilla si një burim malor me një shpend shkëmbor (wallcreeper), një ujëvarë me një peshkatar, një luginë lumi të kufizuar me bletë, një lumë gjarpërues me një lejlek të bardhë, një grykëderdhje lumi me një zog avocet dhe një peizazh detar me një kormoran verior (Northern gannet).
Në anën e pasme të këtyre kartëmonedhave do të shfaqen ndërtesa të institucioneve të Bashkimit Evropian, si Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian.
Në një kthesë interesante, eurozona dhe Britania e Madhe mund të përfundojnë të dyja me peshkatarin në kartëmonedhat e tyre, pasi edhe Banka e Anglisë ka propozuar një seri kafshësh për një votim publik.
BQE-ja ka përzgjedhur dhjetë propozime dizajni, për të cilat publiku mund të japë mendimin e tij deri më 21 shtator.
Megjithatë, qytetarët nuk do të kenë fjalën përfundimtare. Këshilli Drejtues i BQE-së do të ketë autoritetin të zgjedhë modelin fitues rreth fundit të vitit.
Gjatë marrjes së vendimit, Këshilli Drejtues do të marrë parasysh një sërë informacionësh, përfshirë një vlerësim teknik, rezultatet e dy sondazheve, njëri prej tyre votimi publik si dhe përfundimet e një jurie dizajni.
Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, tha se modelet e reja “kombinojnë bukurinë dhe kuptimin” dhe do të “forcojnë identitetin tonë të përbashkët”.
“Kartëmonedhat euro janë më shumë se një mjet pagese, ato janë një nga shprehjet më të prekshme të Evropës”, u shpreh Lagarde.Të interesuarit mund të japin mendimin e tyre që tani përpara se të mbyllet procesi i konsultimit.
Lini një Përgjigje