Zgjedhja e udhëheqësit të ri të Kishës Katolike, Robert Francis Prevost, befasoi jo vetëm besimtarët, por edhe tregjet e parashikimeve, të cilat kanë fituar popullaritet të madh vitet e fundit duke i lejuar përdoruesit të vendosin baste mbi ngjarje aktuale.
Një numër i vogël bastvënësish përfituan shuma marramendëse, ndonëse shumica dërmuese humbën. Mbi 40.4 milionë dollarë u luajtën në total në tregjet si Polymarket dhe Kalshi. Prevost, një kandidat me shanse minimale sipas këtyre platformave, kishte vetëm 1.6% dhe 1.8% mundësi të nënkuptuara për t’u bërë Papa i ardhshëm.
Një përdorues me pseudonimin “JustPunched” arriti të përfitonte 63,650 dollarë nga një bast prej vetëm 1,059 dollarësh. Ndërkohë, në platformën rivale Kalshi, një tjetër bastvënës siguroi 52,641 dollarë nga një bast prej vetëm 526 dollarësh.
Kandidati favorit në të dyja platformat ishte kardinali italian Pietro Parolin. Humbjet më të mëdha u regjistruan pikërisht mbi të, me të paktën nëntë përdorues që humbën mbi 10,000 dollarë secili.
Për ata që besuan te Prevost-in, kthimi ishte kolosal. Një bast simbolik prej 170 dollarësh do të kishte sjellë afro 10,000 dollarë fitim. Emërimi i Prevost si Papa i parë amerikan—i lindur në Çikago dhe i diplomuar në Universitetin Villanova—e ktheu këtë ngjarje në një sukses të papritur për një grusht bastvënësish me intuitë të saktë.
Platformat e tregjeve të parashikimeve, si Kalshi dhe Polymarket, u kthyen në qendra vëmendjeje veçanërisht gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, për shkak të orientimit të tyre më të madh drejt fitores së Trump, ndryshe nga modelet tradicionale të bazuara në sondazhe. Kalshi mbështetet nga emra të njohur si miliarderët Henry Kravis dhe Charles Scwab, ndërsa Donald Trump Jr. shërben si këshilltar strategjik i kompanisë.
Lini një Përgjigje