
Një video e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) më 15 nëntor që shfaq armatimet e Hamasit të gjetur në spitalin Al-Shifa tregon më pak armë në vendngjarje, sesa në pamjet e mëvonshme të filmuara nga ekipet ndërkombëtare të lajmeve. Kjo ka ngritur dyshimet se armatimi mund të jetë zhvendosur nga diku tjetër dhe vendosur aty, pak para se ekipet e lajmeve të vinin të filmonin.
CNN krahasoi pamjet e publikuara nga IDF në internet me pamjet e marra nga Fox News, të cilave iu dha akses në faqe në orët më pas. Kjo pasi në videon e publikuar nga zëdhënësi i IDF-së Nënkolonel Jonathan Conricus ora tregon 13:18. Ndërsa në video raportimin e korrespondentit të huaj të Fox News, Trey Yingst, ai deklaroi se ishte filmuar në "mesin e natës".
Korrespondentit të Fox News i shfaqet një çantë e vendosur pas një aparati MRI brenda spitalit, me dy armë AK-47 të dukshme sipër saj. Megjithatë, videoja e IDF e filmuar më herët tregon vetëm një armë AK-47. Është e paqartë se nga erdhi arma e dytë AK-47 dhe pse nuk është e dukshme në klipin e mëparshëm të IDF.

Në orët e ndërmjetme, IDF postoi gjithashtu në internet një foto të armatimit që supozohet se u gjet në spitalin Al-Shifa. Emri i skedarit WhatsApp për këtë foto tregon se është marrë në orën 17:35; kjo e vendos atë pas prezantimit të IDF në kompleksin MRI, por pothuajse me siguri përpara se ekuipazhi i Fox News të mbërrijë.
Është e mundur që armatimi të jetë hequr nga vendi i ngjarjes dhe të zëvendësohet para se të mbërrinin ekipet e lajmeve. Megjithatë, kjo nuk shpjegon pse më shumë armë janë të dukshme kur mbërrijnë shtypi sesa në videon origjinale të IDF.
BBC-së iu dha gjithashtu akses në spital ditën tjetër, më 16 nëntor, dhe dy armë AK-47 janë ende të dukshme në majë të çantës brenda dhomës së MRI. CNN ka kontaktuar me IDF për sqarime mbi mospërputhjen e dukshme, por nuk ka marrë një përgjigje./CNN
Lini një Përgjigje