TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Shtator 2025, 20:36

Alarm në Londër/ Evakuohet Terminali 4 i Heathrow pas dyshimeve për substanca të rrezikshme

Shkruar nga Pamfleti

Alarm në Londër/ Evakuohet Terminali 4 i Heathrow pas dyshimeve

Terminali 4 i Aeroportit Heathrow në Londër është evakuuar pas një incidenti të dyshuar me materiale të rrezikshme, duke shkaktuar alarm dhe ndërprerje të udhëtimeve.

Zëdhënësit e aeroportit konfirmuan se zona e check-in-it është mbyllur ndërsa shërbimet e emergjencës ndodhen në terren. Pasagjerët janë paralajmëruar të mos udhëtojnë drejt Terminalit 4 derisa situata të qartësohet. Të gjitha terminalet e tjera të aeroportit funksionojnë normalisht.

Një zëdhënës i Brigadës së Zjarrfikësve të Londrës deklaroi: “Zjarrfikësit po reagojnë ndaj një incidenti të mundshëm me materiale të rrezikshme në Aeroportin Heathrow. Ekipe specialistësh janë dërguar për të vlerësuar situatën, dhe pjesë e aeroportit është evakuuar si masë paraprake.”

Alarmi është dhënë rreth orës 17:01 sipas orës lokale, ndërsa në operacion po marrin pjesë ekipe nga Feltham, Heathrow, Wembley dhe stacione të tjera përreth. Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra autoambulanca të stacionuara jashtë Terminalit 4.

Ndërkohë, kompania National Rail ka njoftuar se trenat nuk po ndalojnë në Heathrow Terminal 4 për shkak të ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për natyrën e substancës së dyshuar dhe as për të lënduar eventualë.

 

Lini një Përgjigje