Një fitore e Donald Trump në nëntor mund të mirëpritet nga Netanyahu dhe disa të tjerë në Izrael...
Ka shumë gjasa që fushata e vazhdueshme ushtarake e Izraelit në Gaza ta eliminojë përfundimisht udhëheqjen ushtarake të Hamasit atje, ose duke vrarë figura të tilla të larta si Yahya Sinwar dhe të tjerët, ose duke i detyruar ata të largohen në vende të tjera.
Por është po aq e padiskutueshme se Hamasi ka fituar tashmë raundin e parë në luftën e nisur që nga sulmi i tmerrshëm i 7 tetorit 2023. Synimet e Hamasit - ose të paktën ato të udhëheqjes së organizatës në Gaza - që në nisje të sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar nuk janë ende të qarta.
Ato mund të shihen si një demonstrim force i ideologjisë së tyre antisemite. Por me sa duket, militantët e Hamasit kishin si objektiv minimal të lironin sa më shumë palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite dhe të riktheheshin në skenë si një forcë që duhet llogaritur. Kjo edhe për shkak të mungesës së efikasitetit të Fatahut dhe udhëheqjes së Ramallahut nga kjo e fundit. Nga shumë palestinezë Fatah shihet si një organizatë shumë e korruptuar. Në të dy frontet, Hamasi ka pasur sukses, ndoshta sepse palestinezët e shkëmbyer tashmë me disa nga pengjet izraelitë të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor, janë rikthyer në shtëpitë e tyre në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, jo në Gaza.
Po ashtu, Hamasi ka treguar tashmë se është një forcë që duhet pasur parasysh, duke i mbijetuar sulmit të IDF për më shumë se sa në çdo luftë që Izraeli ka zhvilluar ndonjëherë. Në këtë mënyrë, Hamasi e ka dëmtuar plotësisht statusin parandalues aq shumë të lavdëruar të Izraelit.
Me pak fjalë, dhe me pasoja të mundshme afatgjata e të frikshme për Izraelin, IDF nuk duket më e pathyeshme. Pavarësisht nëse e donte apo jo, Hamasi ka qenë gjithashtu i suksesshëm edhe në nivel rajonal. Të paktën për momentin, kjo organizatë ka krijuar një pengesë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve saudito-izraelite, dhe ka rritur çmimin që Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman do të ndjejë se duhet të kërkojë nga Izraeli që një marrëveshje e tillë të pranohet nga populli tij.
Dhe të paktën për momentin, asnjë vend në rajon nuk dëshiron të nënshkruajë Marrëveshjen e Abrahamit apo diçka të ngjashme me to, megjithëse sauditët do të kishin dashur që marrëveshja e tyre të përshtatej sipas shijes së tyre në vend që të nënshkruanin një marrëveshje të hartuar sipas diktatit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pasojat e tjera rajonale janë më pak të qarta. Ndërsa sulmi i Hamasit ishte padyshim në avantazhin e Iranit, sa i përket vendosjes së sauditëve dhe amerikanëve në një pozitë të vështirë. Dhe sado që Hamasi ka përfituar përgjatë viteve nga mbështetja iraniane, Teherani nuk duket se ka shkaktuar sulmin e tetorit.
Madje duket shumë i interesuar për të mos e kapërcyer vijën e kuqe (edhe pse ajo nuk është shumë e qartë), duke rrezikuar kështu një konflikt në shkallë të plotë me SHBA-në dhe Izraelin. Sulmi i Izraelit javën e kaluar kundër zyrtarëve të lartë të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) në Damask do ta testojë fort politikën iraniane të vetëpërmbajtjes.
Ndërkohë kjo krizë, ka ngritur edhe pikëpyetje intriguese mbi shtrirjen e kontrollit iranian mbi aleatët e tij në rajon, veçanërisht mbi rebelët jemenas Houthi. Në nivel ndërkombëtar, dhe sado që administrata Biden është për të ruajtur një balancë midis mbështetjes për Izraelin dhe presionit të brendshëm rajonal dhe ndërkombëtar, për t’i dhënë fund operacioneve ushtarak izraelite në Gaza, kriza ka treguar aftësinë në rënie të Amerikës për të ndikuar në rajon sa dikur, dhe ka krijuar hapësirë për të tjerët që të synojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre.
Këtu spikat veçanërisht Rusia (që është gjithashtu një fituese e madhe për sa i përket zhvendosjes dramatike të interesit ndërkombëtar nga Ukraina në Lindjen e Mesme).
Kina gjendet ndoshta në një pozitë më të vështirë, pasi kriza ka nxjerrë në pah dobësinë themelore të politikës së Pekinit deri më sot. Ajo po përpiqet të sillet mirë me të gjithë, duke siguruar furnizimet me naftë dhe duke promovuar interesat e saj tregtare. Për shembull, është demaskuar kotësia e paktit saudio-iranian të marsit 2023 të ndërmjetësuar nga Kina.
Një arritje e mëtejshme për Hamasin dhe palestinezët ka qenë tendosja që ka sjellë kriza në marrëdhëniet SHBA-Izrael, por edhe vala e vendeve që tani po diskutojnë nëse ka ardhur koha për të njohur një shtet palestinez, sado i zbehtë që mund të jetë për momentin në terren realiteti i një perspektive të tillë.
Në fakt, Hamasi ka arritur atë që presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas ka dështuar ta arrijë: rikthimin e plotë të çështjes palestineze në hartën ndërkombëtare, pas vitesh në të cilat ajo ka mbetur në sirtar, e klasifikuar si një dosje “shumë e vështirë” por në të njëjtën kohë si e menaxhueshme.
Në këtë mënyrë, Hamasi ka ekspozuar ndër të tjera edhe brishtësinë e mbështetjes evropiane për Izraelin, pavarësisht nga reagimi i menjëhershëm ndaj tmerreve të 7 tetorit, pjesërisht për shkak të nevojës për të marrë parasysh ndjeshmërinë e pakicave të mëdha myslimane në shumë vende evropiane.
Por edhe për shkak të një perceptimi më të përgjithshëm dhe gjithnjë e më të përhapur të Izraelit si një fuqi pushtuese që u mohon palestinezëve të drejtat e tyre, dhe të fushatës aktuale të IDF-së si disproporcionale dhe pa asnjë dallim, madje edhe gjenocidale.
Në të vërtetë, shpejtësia e delegjitimimit të Izraelit pas 7 tetorit në sytë e shumë njerëzve në botë, mund të shihet edhe si një dëshmi e mëtejshme e “fitores” së Hamasit. Ajo që ndodh më pas mbetet e pasigurt. Nëse Hamasi ka fituar disa pikë dhe nëse ka garantuar që bota dhe rajoni nuk mund të kthehen më tek 6 tetori 2023, mund të themi se fitorja e tyre do të jetë shumë e kushtueshme, përfshirë edhe bazën e tyre mbështetëse në Gaza, ku shkatërrimi që po pëson popullata lokale mund ta dëmtojë më tej bazën mbështetëse të organizatës.
Nëse axhenda e Hamasit është afatgjatë, siç duket se ka gjasa, atëherë varet nga ne të tjerët - Perëndimi dhe ato shtete arabe që janë po aq kundër Hamasit dhe ideologjisë së tij sa edhe ne, dhe natyrisht edhe Izraelit dhe Autoritetit Palestinez (kush tjetër është atje?) - që të punojnë me seriozitet, energji dhe unitet më të madh se në të kaluarën për t’u mohuar atyre çdo lloj fitoreje përfundimtare.
Natyrisht, thelbi është të arrihet një lloj pakti për t’i dhënë fund luftimeve aktuale, duke siguruar lirimin e pengjeve të mbetura izraelitë, si të gjallët ashtu edhe trupat e atyre që kanë vdekur. Po ashtu i duhet hapur rruga rindërtimit të Gazës, dhe duhet të ketë negociata më të gjera për të zgjidhur çështjet themelore, në dukje të pazgjidhshme, të konfliktit izraelito-palestinez.
Pengesat për të arritur në atë pikë janë të mëdha. Një faktor është forcimi i mëtejshëm dhe i kuptueshëm i opinionit izraelit kundër krijimit të një “shteti terrorist” palestinez. Por prej kohësh kam qenë i shqetësuar mbi një sërë faktorësh të tjerë, përfshirë ndërtimin e vendbanimeve të reja hebreje në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, dhe zhvendosjen e vazhdueshme djathtas të shoqërinë dhe politikës izraelite.
Këtyre duhet t`u shtohet papërshtatshmëria e udhëheqjes palestineze në Ramallah. Kjo do të thotë se hapësira për një zgjidhje me dy shtete, e cila do të kishte qenë zgjidhja e duhur për një problem që përfshin dy lloje nacionalizmash, është mbyllur tashmë.
Dhe problemi është se për një të ardhme të parashikueshme nuk ka një zgjidhje alternative, përveç një konflikti të vazhdueshëm. Por problemin më të madh mund ta ketë Izraeli. Duket se ka gjasa që ai të mbetet i bllokuar sërish në një okupim të qartë të Gazës.
Duke pasur parasysh papajtueshmërinë themelore midis hapësirës së “një shteti” që po krijohet de fakto midis Mesdheut dhe lumit Jordan, dhe ëndrrës së një shteti hebre demografikisht të shëndoshë, i drejtuar sipas atij vizioni shekullor, që fatkeqësisht vërtetoi se hebrenjtë nuk ishin të sigurt diku tjetër, atëherë e ardhmja duket qartazi shumë sfiduese.
Disa izraelitë të linjës së ashpër, mund të ëndërrojnë ta zgjidhin këtë dilemë duke i dëbuar ose “inkurajuar” lëvizjen e miliona palestinezëve në Egjipt dhe Jordani. Por edhe nëse një mundësi e tillë do të ishte realiste, ajo do të çonte në destabilizimin e Mbretërisë Hashemite dhe do të shkaktonte një të çarë ndoshta të pashërueshme në marrëdhëniet izraelito-egjiptiane, duke pasur parasysh kundërshtimin e pashmangshëm të Kajros ndaj çdo lëvizjeje të tillë.
Një fitore e Donald Trump në nëntor mund të mirëpritet nga Netanyahu dhe disa të tjerë në Izrael. Por sipas dëshmive të presidencës së tij të mëparshme, kjo vetëm sa do të përkeqësonte tensionet themelore dhe do të çimentonte rreziqet ndaj qëndrueshmërisë afatgjatë të Izraelit në rajon. Si një njeri që njeh shumë izraelitë dhe palestinezë që kanë punuar për paqe, unë dyshoj se do ta shohin ndonjëherë këtë. Edhe pse dëshpërimi nuk duhet të jetë kurrë një opsion politik./Përshtati Pamfleti nga “Haaretz”
Shënim: Sër Tom Phillips, ish-diplomat britanik. Ka shërbyer si ambasador në Izrael në vitet 2006-2010, dhe në vitet 2010-2012 si ambasador në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Lini një Përgjigje