TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Shkurt 2024, 10:52

A do të mundet NATO të parandalojë fitoren e Rusisë në Ukrainë?

Shkruar nga Shashi Asthana
A do të mundet NATO të parandalojë fitoren e Rusisë në
Zelenski dhe NATO /

Gjetja e burimeve të reja njerëzore do të jetë sfida më e madhe e Ukrainës, ku NATO nuk mund ta ndihmojë shumë. Në fillim të vitit të tretë të luftës duket se aleanca do ta ketë të vështirë ta kthejë valën kundër Rusisë...

Ndërsa lufta në Ukrainë ka mbyllur vitin e saj të dytë, Rusia duket jo pak e inkurajuar nga suksesi i fundit i marrjes nën kontrollit të qytetit Avdivka, dhe duket se po përparon drejt perëndimit pranë Avdiivka, Bakhmut, Donetsk City, Robotyne dhe Krynky, krahas pushtimit të Pobedës.

Me këto lëvizje, Moska po synon të zhbllokojë konfliktin që për shumë muaj ka qenë thuajse i ngrirë, me linjat statike në front dhe ku kishte vetëm sulme përmes dronëve dhe raketave. Të dyja palët “lëpinin” plagët e tyre, duke numëruar humbjet dhe duke e pasur shumë të vështirë për të rifituar fuqinë e tyre luftarake.

Retorika e Perëndimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duket se po zhvendoset nga motoja “Putin duhet të humbasë” në “Putin nuk duhet të fitojë”, teksa e ka gjithnjë e më të vështirë të përmbushë pritshmëritë e Ukrainës për mbështetje financiare dhe ushtarake.

Vetëm presidenti amerikan Joe Biden e ka ndryshuar retorikën e tij. Ai nuk premton tani të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa do të duhet” por “për aq kohë sa do të mundemi”, sepse po përballet me një bllokim në Kongres në miratimin e paketës së re të ndihmës ndaj Ukrainës.

Nga ana tjetër edhe Rusia nuk ndihet shumë e favorizuar, sepse ka pësuar humbje të mëdha në flotën e saj të Detit të Zi dhe teksa mundohet me vështirësi të frenojë sulmet e përsëritura nga Ukraina ndaj qyteteve ruse. Deri pak kohë më parë mendohej se ato ishin të paarritshme për ukrainasit, të cilët u privuan nga arsenali perëndimor me rreze të gjatë, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

S’ka asnjë dyshim se për shkak të domosdoshmërisë së Perëndimit për të mos humbur kundër Putinit, Ukraina do të marrë herët a vonë ndihmën, arsenalin dhe municionin që kërkon. Por mbetet pyetja se kush do t’i sigurojë asaj ushtarë të trajnuar mjaftueshëm për t’u përballur me ushtarët rusë në vijën e parë.

Asimetria e shifrave mund të jetë një element përcaktues në këtë luftë që po zgjat. Disa realitete të zymta, diktojnë vendosjen e kufijtë maksimalë në këtë luftë. Së pari, me arsenalin më të madh të armëve bërthamore dhe raketave hipersonike nën Putinin, Rusia nuk do të asgjësohet në mënyrë vendimtare pa përdorur asnjë nga këto armë të mëdha.

Së dyti, SHBA-ja nuk do të rrezikojë asgjësimin e Uashingtonit dhe Nju Jorkut për të shpëtuar Ukrainë apo Poloninë. Së treti Rusia nuk do të jetë në gjendje të asgjësojë Ukrainën nëse ajo mbështetet vazhdimisht nga NATO.

Së katërti, Evropa duhet të ndjekë diktatin amerikan, pasi ajo ra me vetëdije pre e planit amerikan për ta ndërprerë varësinë e saj nga Rusia dhe e shpërfilli për një kohë të gjatë sigurinë e saj por edhe shqetësimet e Rusisë mbi sigurinë e saj.

Së pesti, Ukraina nuk mund ta rimarrë të gjithë territorin e humbur, pa u përfshirë plotësisht NATO-ja me trupat e saj, gjë që do të nënkuptonte fillimin e Luftës së Tretë Botërore dhe  rrezikun e “një Apokalipsi Bërthamor”. Prandaj lufta vazhdon të zhvillohet brenda këtyre kufijve maksimalë.

Rusia ka 3-fishin e popullsisë së Ukrainës, dyfishin e buxhetit ushtarak, dhe më e rëndësishmja, një president autoritar të angazhuar për t’i dhënë fund luftës vetëm sipas kushteve të tij. Për shkak të mungesës së opsioneve, NATO-ja po përpiqet të përdorë instrumentet e vjetra të luftës si lufta ekonomike përmes sanksioneve shtesë ndaj Rusisë (500 kompani dhe individë shtesë të ndëshkuar nga SHBA) dhe luftës informative duke e përdorur si shkak vdekjen e Alexei Navalny, që ishte më shumë një hero i medias perëndimore, por që në fakt nuk përbënte ndonjë kërcënim real për Putinin.

Në fillim të luftës, synimi politik i Rusisë ishte të ndalte tendencën e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s në lindje, dhe të përjashtonte sidomos opsionin e përfshirjes së Ukrainës. Po ashtu synohej çlirimi i plotë i rajoneve Luhansk dhe Donetsk, që do të veprojnë si një tampon që do të siguronte edhe sigurinë e Krimesë duke u lidhur me rajonin e Donbasit përmes një korridori tokësor.

Synimi shtesë përfshinte pengimin e plotë të Ukrainës nga pasja qasje në det dhe fitimi i lirisë absolute të manovrimit të flotës së saj të Detit të Zi si dhe bashkimi me Transnistrian. Pushtimi i plotë i Ukrainës ishte përtej aftësive të ushtrisë ruse dhe vazhdon të jetë e tillë. Por një shtet përgjatë kufijve të tij gjuhësorë mendohet të jetë brenda kufijve të tij të arritshëm.

Pas dy vitesh luftë, Rusia ka vendosur nën kontroll 20 për qind të territorit ukrainas pas aneksimit të Krimesë, por nuk e ka çliruar ende të gjithë rajonin e Donbasit. Nuk është pushtuar ende Odessa dhe bashkimi me Transnistrian nuk është i lehtë.

Putin i bëri llogaritë gabim mbi vullnetin dhe vendosmërinë e ukrainasve për t’i bërë ballë sulmit rus dhe nënvlerësoi përmasat e mbështetjes nga Perëndimi për të rritur fillimisht rezistencën ukrainase. Ukrainasit luftuan me vendosmëri për të mposhtur ofensivën ruse në Kiev, Kharkiv, Mykolaiv dhe zona të tjera.

Rusia pësoi humbje të rënda në njerëz dhe materiale vitin e parë të luftës, por i mësoi shpejt disa leksionet, prandaj ndërtoi një linjë mbrojtëse të fortë dhe të qëndrueshme përgjatë territorit të pushtuar, e cila mundi t’i rezistojë kundërsulmit të shumëpërfolur ukrainas.

Ndërsa u përball me këtë të fundit vitin e dytë, ajo punoi njëkohësisht më shpejt se Perëndimi për rikuperimin e aftësive luftarake. Falë kësaj pune, sot është në pozicionin e duhur për ta të kërcënuar Ukrainën dhe arritur synimet e saj fillestare, pavarësisht se pagoi një kosto të rëndë për sa i përket viktimave në njerëz, humbjeve materiale, përveç dëmit ekonomik dhe atij diplomatik.

Vlerësohet se që nga viti 2021prodhimi ushtarak rus u rrit me 400 për qind, përkundrejt vetëm 20 për qind të Evropës. Fakti që fushata ushtarake e Ukrainës bazohej kryesisht tek ndihma amerikane, është ndikuar negativisht nga devijimi i fokusit të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

Ukraina sot vuan pasojat e infrastrukturës së shkatërruar, 14 milionë njerëzve të zhvendosur, ekonomisë së shkatërruar, dhe varësisë së saj të madhe nga ndihma perëndimore për të mbështetur rezistencën e saj. Një NATO e zgjeruar, nënkupton një treg më të madh për pajisjet ushtarake dhe naftën amerikane.

Vetëm vitin e kaluar, shitja e armëve amerikane jashtë shtetit arriti rekordin prej 238 miliardë dollarësh. As dhënia fund e varësisë energjetike të Evropës nga Rusia përmes shkatërrimit të tubacioneve “Nordstream”, nuk duket të jetë në interesin e Evropës, (por të Amerikës), e cila po shihet tek rënia e ekonomisë së Evropës në krahasim me atë të Rusisë.

Dy vitet e Luftës së Rusisë në Ukrainë, kanë shkaktuar një krizë të jashtëzakonshme ekonomike, energjetike dhe ushqimore në nivel global, duke i detyruar njerëzit që nuk kanë lidhje me luftën të përballen me një presion të madh inflacionist. Në nivelin strategjik, ajo e ka angazhuar SHBA-në në Luftën e Ftohtë 1.0 dhe Luftën e Ftohtë 2.0 (me Kinën) duke i tendosur tej mase aftësitë e saj.

Ndërkohë as sanksionet nuk kanë qenë shumë të efektshme, pasi varësia perëndimore nga karburanti bërthamor, plehrat dhe gazi rus nuk është e lehtë të zhduket brenda natës. Rusia e pasur me burime ka filluar të kthejë kokën nga Azia për të bërë tregti. Edhe ekonomitë botërore kanë filluar të kërkojnë alternativa ndaj sistemit financiar të dominuar nga SHBA-ja.

Retorika e guximshme e Zelenskit për kundërsulmin e radhës është e dobishme për një luftë informative, por ajo mund të mos e ndryshojnë situatën në terren në favor të tij pasi ai po mbështet atë që Sean McFate e quan “Vrasje me thikë të marrë hua”.

Edhe nisma e vendeve evropiane për të nënshkruar marrëveshje sigurie me Ukrainën, mund të jetë diçka pozitive, por nuk i lejon ato të veprojnë përtej nenit 5 të Kartës së NATO-s për të hyrë në luftë kundër Rusisë në krah të Ukrainës. Gjetja e burimeve të reja njerëzore do të jetë sfida më e madhe e Ukrainës, ku NATO nuk mund ta ndihmojë shumë. Në fillim të vitit të tretë të luftës duket se aleanca do ta ketë të vështirë ta kthejë valën kundër Rusisë./Përshtati Pamfleti nga  “Modern Diplomacy”

Marrë me shkurtime

Shënim:Shashi Asthana, gjeneral veteran i këmbësorisë me përvojë 40 vjeçare në formacionet ndërkombëtare dhe në OKB.

nato rusia ukraina zelensky

Lini një Përgjigje