TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Prill 2025, 16:18

A do e shmangë sot Amendamenti 22 vendosjen e diktaturës në SHBA?

Shkruar nga Mark Satta

 A do e shmangë sot Amendamenti 22 vendosjen e diktaturës në SHBA?

Nga tradita tek imponimi: Ja përse qëndrimi në postin e presidentit u kufizua me Kushtetutë në vetëm 2 mandate...

Vetëm një person, Franklin Delano Roosevelt, ka shërbyer ndonjëherë më shumë se dy mandate si president i Shteteve të Bashkuara. Dhe kjo për dy arsye. Së pari, përpara zgjedhjes së tij për një mandat të tretë në vitin 1940, ekzistonte një traditë e gjatë kur presidentët nuk po shërbenin për më shumë se dy mandate.

Kjo traditë u krijua nga vendimet e presidentëve të hershëm të SHBA-së si George Washington, Thomas Jefferson dhe James Madison për të mos kërkuar një mandat të tretë. Kjo traditë u miratua më vonë nga presidentë të tjerë.

Së dyti, kur Roosevelt vdiq në detyrë në vitin 1945 gjatë mandatit të tij të katërt, Kongresi dhe populli i Shteteve të Bashkuara vendosën që ta rikthejnë traditën e kahershme, sipas së cilës presidentët nuk duhet të shërbejnë më shumë se dy mandate, në një pjesë të Kushtetutës.

Kjo u bë përmes kalimit dhe ratifikimit të Amendamentit të 22-të , i cili u bë pjesë e Kushtetutës së SHBA-së në vitin 1951. Dispozita kryesore e këtij amendamenti përcakton: “Asnjë person nuk mund të zgjidhet në detyrën e presidentit më shumë se dy herë, dhe asnjë person që ka mbajtur detyrën e presidentit ose ka vepruar si i tillë për më shumë se dy vjet në një mandat ku është zgjedhur president një person tjetër, nuk do të zgjidhet në detyrën e presidentit më shumë se një herë”.

Synimi është i qartë. Askush nuk supozohet të shërbejë më shumë se dy mandate të plota si president. E vetmja mënyrë, se si dikush mund të shërbejë më shumë se dy mandate, është nëse ai ka shërbyer më pak se dy vjet në një mandat të mëparshëm, në të cilin nuk është zgjedhur president.

Ja një shembull: Nëse një zv/president bëhet president gjatë vitit të fundit të një mandati për shkak se presidenti vdes, i pari mund të garojë sërish për dy mandate. Por ky përjashtim, synon ende të ndalojë këdo që të shërbejë më shumë se 10 vjet si president.

Vlen të kuptojmë arsyen pse tradita u konsiderua aq e rëndësishme. Studiuesit citojnë shpesh vendimin e George Washington për të mos kërkuar një mandat të tretë si president, si themeluesin e traditës 2-mandatëshe. Politologu dhe studiuesi i kufijve të mandatit presidencial, Michael Korzi, i jep shumë më tepër merita presidentit të tretë të SHBA-së, Thomas Jefferson.

Jefferson ishte  hapur në favor të traditës me 2 mandate. Siç vë në dukje Korzi, kjo sepse ai nuk shihte ndonjë dallim të madh midis një qeverie jetëgjatë, dhe një monarku që e ka pushtetin të trashëguar. Pra një president me mandate të pakufizuara, është shumë i ngjashëm me një mbret. Jefferson parashikoi se do të kishte presidentë të gatshëm të shkelnin traditën e dy mandateve, për shkak të urisë për pushtet, dhe ai shpresonte që populli amerikan të mos zgjidhte një president të tillë. Kjo e nxiti të shkruante në autobiografinë e tij të vitit 1821 se “nëse një president pranon të jetë kandidat për një mandat të tretë, unë besoj se ai do të refuzohej”.

Po ashtu, Jefferson shqetësohej se pa një kufizim të mandatit, presidentët do të qëndronin në detyrë për një kohë të gjatë deri në pleqëri, edhe pasi të kishin humbur aftësinë e tyre për të qeverisur në mënyrë efektive. Ndaj që nga ajo kohë, presidentët prireshin t’i përmbaheshin traditës së dy mandateve.

Dhe në ato pak raste, kur presidentët vendosën të kërkonin një mandat të tretë, partitë e tyre nuk ia jepnin nominimin. Kjo mbeti e vërtetë, derisa Roosevelt kandidoi dhe fitoi mandatin e tretë dhe të katërt si president gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shkelja e traditës, detyroi Kongresin dhe shtetet që ta kthenin traditën në një çështje zyrtare të ligjit kushtetues. Një shqetësim i madh që e motivoi Amendamentin 22, ishte i njëjti që motivoi edhe Jeffersonin dikur: të parandalonte që një president të bëhet mbret.

Shumë anëtarë të Kongresit, identifikuan të njëjtin shqetësim gjatë seancave në vitet 1940. Senatori Chapman Revercomb nga Virxhinia Perëndimore, deklaroi se pushteti që i jepet një presidenti pa kufizime mandati “do të ishte një hap drejt autokracisë, pavarësisht nga emri që i jepet postit, qoftë president, mbret, diktator, perandor apo çfarëdo titulli që mund të mbajë”.

Ngjashëm, kongresmeni Edward Mccowen nga Ohio, thotë se Amendamenti i 22-të do të ishte “një hap i madh drejt parandalimit të vendosjes të një diktature apo ndonjë forme totalitare të qeverisjes”. Edhe kongresmeni nga Tenesi John Jennings Jr., deklaroi se vetëm me miratimin e Amendamentit të 22-të “njerëzit mund të sigurohen se nuk do të kemi kurrë një diktator në SHBA”.

Kongresi e miratoi Amendamentin e 22-të më 21 mars 1947. U deshën më pak se 4 vjet që treçereku i nevojshëm i shteteve ta ratifikonin atë. Amendamenti u shndërrua në ligj më 27 shkurt 1951. Në vitet 1980, politologu Juan Linz, arriti në përfundimin se sistemet presidenciale janë më pak të qëndrueshme se format e tjera të demokracisë, siç janë sistemet parlamentare. Dallimi është se sistemet presidenciale përqendrojnë më shumë pushtet në duart e një personi të vetëm, presidentit. Dhe kjo e bën më të lehtë heqjen e kontrolleve dhe balancave, nga të cilat varen demokracitë. Siç e kanë vënë në dukje studiuesit, shkelja e kufijve të mandatit presidencial dhe metodat e tjera të rritjes së pushtetit ekzekutiv, janë një formë e zakonshme e prapambetjes në raport me normat demokratike.

Profesoresha e drejtësisë Mila Versteeg dhe kolegët e saj, kanë treguar se vitet e fundit presidentët anembanë globit, kanë përdorur taktika të ndryshme në përpjekje për të shkelur kufijtë e mandatit presidencial.

Këto taktika, përfshijnë përpjekjen për të ndryshuar kushtetutën e vendit të tyre, përpjekjen për t’i detyruar gjykatat të ri-interpretojnë kushtetutën, gjetjen e një lideri zëvendësues të cilin ish-presidenti mund ta kontrollojë sapo të dalë nga detyra, dhe përpjekjen për të shtyrë zgjedhjet.

Ata vënë në dukje se në shumicën e rasteve, përpjekja e një presidenti për të shkelur  kufizimet e mandatit  ka dështuar “sepse  ka hasur në  një rezistencë  të gjerë  popullore”.

Ata arrijnë  në përfundimin se  ky zbulim, nënkupton  se “lëvizjet e rezistencës së gjerë”, mund të jenë mjeti më i mirë për të parandaluar shkeljen e kufijve të mandatit presidencial./Në shqip: Pamfleti

Shënim: Mark Satta, profesor i asociuar i filozofisë dhe jurisprudencës në Universitetin Shtetëror Wayne.

kushtetuta amerikane amendamenti 22 diktatura shba

Lini një Përgjigje