TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Korrik 2025, 12:29

"1 mln dollarë për udhëtim”, sulmet e rebelëve Houthi rrisin kostot e sigurimit për anijet në Detin e Kuq

Shkruar nga Pamfleti

"1 mln dollarë për udhëtim”, sulmet e rebelëve

Kostot e sigurimit për anijet që kalojnë nëpër Detin e Kuq janë rritur ndjeshëm, pasi rebelët Houthi rifilluan sulmet ndaj mjeteve tregtare, duke kërcënuar rrjedhën e tregtisë globale. Sipas ndërmjetësuesit më të madh të sigurimeve në botë, këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e primeve për rreziqet e luftës.

Sipas të dhënave të Marsh McLennan, ndërmjetësuesit më të madh të sigurimeve në botë, primi (shuma parave për siguracionin) për kalimin në këtë rrugë ujore strategjike është ngjitur nga maksimumi 0.4% në deri në 1% të vlerës totale të anijes. Kjo nënkupton se për një anije me vlerë 100 milionë dollarë, sigurimi është rritur nga 300 mijë, në 1 milion dollarë për çdo udhëtim.

Sulmi ndaj anijes “Magic Seas”, një transportues mallrash në pronësi të Stem Shipping nga Greqia, u pasua nga një tjetër sulm të hënën ndaj “Eternity C”, një anije që lundron me flamurin e Liberisë.

Çmimet mund të rriten më tej nëse anijet vazhdojnë të kalojnë përmes Detit të Kuq, një nga nyjet më të rëndësishme të tregtisë globale. Përveç sigurimeve më të larta, rritja e sulmeve mund të shkaktojë rritje të çmimeve të naftës dhe vonesa në furnizimin e mallrave.

Sulmi ndaj “Magic Seas” ishte i pari i këtij lloji nga rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, që prej dhjetorit. Ata pretenduan se anija ishte mbytur pas goditjeve me armë zjarri, granatahedhës dhe dronë detarë, dhe thanë se sulmi ishte hakmarrje për “shkelje të ndalimit të hyrjes në portet e Palestinës së pushtuar (Izrael)”.

Ndërkohë, në sulmin ndaj “Eternity C”, operuar nga kompania greke Cosmoship, u përdorën dronë detarë dhe granatahedhës të lëshuar nga skafe të vegjël. Tre marinarë u raportua se humbën jetën. Deri më tani, Houthit nuk kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Izraeli reagoi menjëherë pas sulmit të së dielës, duke sulmuar objektiva të lidhura me Houthit, përfshirë portet Hodeidah, Al-Salif dhe Ras Isa, si dhe një stacion energjie. Mes objektivave ishte edhe “Galaxy Leader”, një anije transporti makinash, e kapur që në nëntor 2023 në sulmin e parë të Houthive ndaj mjeteve tregtare. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit deklaruan se ajo ishte pajisur me radar për ndjekjen e anijeve ndërkombëtare në funksion të operacioneve terroriste.

Lini një Përgjigje