Selitë diplomatike në vend janë skandalizuar nga ajo që ka ndodhur dje dhe kanë dhënë ultimatum të përsëritet testi...
Kreu i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi ka marrë një shuplakë të fortë nga ndërkombëtarët. SHBA dhe BE kanë investuar miliona dhe janë angazhuar fort që të kemi një drejtësi të re, por Rakipi i famshëm me një të rënë të lapsit, manipuloi dje listat e fituesve duke futur në drejtësi fëmijët e Gjingjonëve dhe të ministrave apo deputetëve.
Dje ishte një skandal i vërtetë te Magjistratura, pasi fillimisht u deklarua se ishte prishur pajisja që kontrollonte testet. Më pas u bë rishikimi i testeve dhe dolën 42 emra më shumë. Sipas të dhënave, 79 emra kanë marrë 63 deri në 86 pikë. Por, 24 orë më vonë kur është shpallur lista zyrtare ka rezultuar se nuk ishin më 79 fitues, por 121.
Vetë Arben Rakipi doli duke deklaruar se problemi ishte teknik dhe nuk do të ketë përsëritje të provimit. Madje nesër vijon faza e dytë e provimit.
Por mësohet se selitë diplomatike në vend janë skandalizuar nga ajo që ka ndodhur dje. Vetë ambasadat kanë monitoruar procesin dhe u ka lindur dyshimi se procesi është manipuluar. Rakipi përmes kësaj manovre po fut në sistem fëmijët e atyre që u shkarkuan nga vetingu, por edhe ata që kanë lidhje me politikën.
Për këtë arsye, ai ka marrë ultimatum të prerë nga ndërkombëtarët që testimi të përsëritet. SHBA, BE, Gjermania, Holanda apo Londra kanë punuar fort që drejtësia të pastrohet nga tarafi i të korruptuarve dhe politika, por Rakipi u ka hapur dyert dhe kjo përbën një skandal të vërtetë. Ambasadorët po ndjekin me shumë vëmendje atë që po ndodh dhe pritet të ketë dhe takime. Ndërkombëtarët janë të vendosur për të mos lejuar asnjë lloj manovre, e cila duket se do të kompromentojë gjithë reformën në drejtësi. Mësohet se Rakipit i janë futur këmbët në një këpucë. Tani do të shohim se çfarë do të bëjë ish-kryeprokurori. /Pamfleti
Lini një Përgjigje