
Vijon të jetë problematike situata me zjarret në vendin tonë.
Mbrëmjen e sotme zjarri ka përfshirë një sipërfaqe toke në një kodër pranë fshatit Drashovicë të Bashkisë së Selenicë.
Flakët janë në një terren të vështirë, ndërsa era e fortë favorizon përhapjen e tyre drejt sipërfaqeve më të mëdha.
Nga zjarri në Drashovicë rrezikohet një stan që ndodhet aty pranë. Ndërsa, një tjetër vatër zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjte në afërsi të fshatit Dukat.
Po ashtu, disa vatra zjarri janë aktive dhe në bashkinë e Fushë Arrëzit. Krahas dy vatrave të zjarrit që vijojnë aktive prej 10 ditësh, pasditen e së enjtes një vatër zjarri është shfaqur në pyjet me pisha në afërsi të fshatit Kryezi duke rrezikuar kështu edhe banesat.
Situata në Kryezi u konsiderua serioze nga autoritetet lokale të cilat kërkuan ndërhyrjen nga ajri, gjë që nuk u bë e mundur.
Bashkia e Fushë- Arrëzit u detyrua të tërheqë disa nga forcat e angazhuara në vatrat pranë fshatiti Xath duke i përqendruar në afërsi të fshatit Kryezi, teksa në ndihmë të zjrrfikësve dhe punonjësve të shërbimit pyjor shkuan dhe banorë të fshatrave Kryezi dhe Orosh si dhe dhe një skuadër e shërbimit zjarrfikës të Pukës dhe disa autobot të ofruara nga kompani private.
Aktualisht intensiteti i flakëve ka rënë, por forcat e angazhuara vijojnë monitorimin me qëllim që zjarri të mos përhapet drejt fshatrave Kryezi e Orosh në njesine administrative Qafë Mali.
Lini një Përgjigje