
Pas muajsh spekulimesh, shefi i ushtrisë së Ukrainës është shkarkuar nga posti i tij. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se kishte ardhur koha për rinovim të strukturave udhëheqëse.
Njoftimi vjen pasi thashethemet për një përçarje mes Valery Zaluzhny dhe presidentit ukrainas filluan të qarkullonin muaj më parë nëpër mediat ukrainase dhe ato ndërkombëtare.
Zaluzhny është parë si një hero kombëtar nga shumë ukrainas për mbikëqyrjen e përpjekjeve të luftës që nga shkurti i vitit 2022.
Zelensky tha se gjenerali më i lartë i Kievit duhet të mbetet "në ekipin e tij", duke lënë të kuptohet se atij mund t'i jepet një pozicion tjetër.
"Koha për një rinovim të tillë është tani. I propozova gjeneralit Zaluzhny të mbetet pjesë e ekipit. Ne do të fitojmë patjetër", tha ai.
Zaluzhny konfirmoi lajmin në Telegram, duke thënë se detyrat e ushtrisë kanë ndryshuar që nga shpërthimi i luftës në 2022 dhe të gjithë duhet të ndryshojnë dhe të përshtaten me realitetet e reja në mënyrë që të fitojmë së bashku.
"Ne vendosëm të ndryshojmë qasjen dhe strategjinë tonë. I jam mirënjohës të gjithëve që janë me mua, shtabit të përgjithshëm, ministrisë së mbrojtjes dhe presidentit të Ukrainës”, tha Zaluzhy./SkyNews
Lini një Përgjigje