
Pas ngjarjes së rëndë në Pirg të Maliqit, ku pas një sherri në lokal mbeti i vrarë me thikë 14-vjeçari Erald Xhejo, ka reaguar edhe familja e Martin Canit, i cili gjithashtu mbeti viktimë e sulmit me armë të ftohtë tetorin e kaluar te shkolla 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Familja Cani ngrenë dyshime dhe pikëpyetje, duke u shprehur se shkak i këtyre vrasjeve nuk janë rrjetet sociale, por mungesa e masave konkrete nga ana e Qeverisë, mungesa e sigurisë në shkolla, mosbashkëpunimi mes familjeve dhe komunitetit, si dhe mangësitë në sistemin shëndetësor.
Në një deklaratë për shtyp, ata shprehen se edhe pas mbylljes së TikTok, një tjetër krim ndodhi ku mbeti i vrarë i mituri në Korçë javën e kaluar. Ndaj theksojnë me ironi se kush do fajësohet tani, Snapchat-i apo Instagram-i.
“Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet”, shprehen ndër të tjera familja Cani.
Ata apeluan që qeveria të ndërmarrë reforma konkrete dhe mos të bëjë ‘kozmetikë’. Në fund familja Cani ngushëllon familjen Xhejo dhe i bashkohet zërit për drejtësi, që ngjarje të tilla të mos ndodhin më e prindërit të mos derdhin lotë për fëmijët e tyre.
Deklarata për shtyp e familjes Cani:
“Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka radhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?
Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh.
Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet.
Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj.
Familja Cani!".
Lini një Përgjigje