
Tre shqiptarë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në qytetin Olsberg të Gjermanisë.
Ata po udhëtonin me një automjet, kur në një kthesë drejtuesi i i mjetit humbi kontrollin dhe u përplas me një dyqan, ndërsa më pas makina u kthye përmbys.
Gjithçka ndodhi gjatë një ndjekjeje nga policia, e cila ishte vënë pas automjetit ku ndodheshin 3 shqiptarët.
Drejtuesi i mjetit shtoi shpejtësinë sapo pa një automjet policie, çka ka detyruar forcat e rendit t’i vihen nga pas.
Pak minuta më vonë nga nisja e ndjekjes, policia gjeti automjetin e aksidentuar, ndërsa u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga makina dy prej të plagosurve. Ndërsa i 3-ti u gjet i shtrirë pranë automjetit.
Në gjendje më të rëndë paraqitet pasagjeri që ishte në pjesën përpara të mjetit. Nga çfarë raportohet ai ka fraktura të shumta në shtyllën kurrizore dhe në shpatulla. Edhe dy personat e tjerë janë dërguar në spital me plagë të shumta.
Deri më tani janë identifikuar dy nga 3 të plagosurit. Ata janë Artur Ndreca nga Rrësheni dhe Platin Beti nga Peqini.
Policia gjermane konfirmoi se ndaj njërit prej personave në makinë është në fuqi një urdhër arresti për vepra kundër pronës. Ndërkohë, dy pasagjerët e tjerë dyshohet të kenë qenë nën efektin e alkoolit.
Lini një Përgjigje