
SPAK lëshoi disa masa sigurie për stafin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, mes të cilëve edhe për dy zv.Rektorët, Ilir Kapaj dhe Romina Koto.
Ndaj Ilir Kapaj, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’. Kapaj është bashkëshorti i zv.ministres së Arsimit, Ana Kapaj.
Ilir Kapaj mban funksionin e zv.Rektorit të Universitetit për mësimin, ndërkohë zv.Rektorja Romina Koto, është përgjegjëse për marrëdhëniet me institucionet dhe publikun pranë Universitetit Bujqësor.
“Nga hetimet proaktive me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë,” njoftoi SPAK lidhur me aksionin më të fundit.
Ndërkohë mëngjesin e së mërkurës në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së do të paraqitet me kërkesën e tij, Rektori i Universitetit Bujqësor, në një seancë dëgjimore.
Kjo seancë dëgjimore pason atë me deputeten socialuste Klotilda Bushka.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale njoftonte “nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030 ”.
Lini një Përgjigje