
Politologu Roland Bejko, tha se ngritja e akuzave nga SPAK ndaj ish-presidentit Ilir Meta tregojnë se drejtësia e re është në rrugën e duhur dhe nuk ndikohet nga presioni politik. Ai shtoi se askush nuk është më i paprekshëm përpara ligjit dhe se drejtësia e re po vendos standarde të reja në vend.
"Hetimi ndaj Ilir Metës është tregues i qartë se drejtësia në Shqipëri po ecën përpara. Fakti që një ish-president dhe një nga figurat më të fuqishme politike të tre dekadave të fundit përballet me drejtësinë, tregon se askush nuk është mbi ligjin. SPAK, me këtë rast dhe me të tjera më parë, po vendos standarde të reja në hetim dhe ndjekje penale. E rëndësishme është se, pavarësisht presioneve të shumta që kanë ardhur nga të gjitha anët e politikës si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita ky institucion nuk është lëkundur dhe nuk është trembur. Kjo na jep shpresë se reforma në drejtësi po jep frytet që qytetarët prisnin prej kohësh", tha ai i ftuar në MCN,
Bejko komentoi edhe presionin politik ndaj SPAK, duke përmendur veçanërisht reagimet e Kryeministrit Edi Rama pas hetimeve ndaj Erion Veliajt. Ai tha se sulmet politike, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, janë tregues i frikës që kanë politikanët ndaj një drejtësie që nuk kontrollohet më nga ta.
"Sulmet politike që i bëhen SPAK-ut, si ato të fundit nga kryeministri Rama, janë tregues i qartë i frikës që kanë politikanët nga një drejtësi që nuk është më nën kontrollin e tyre. Kjo tregon se për herë të parë pas shumë vitesh, kemi një institucion që nuk ndikohet nga pushteti politik dhe që ka guximin të hetojë edhe emrat më të fuqishëm të vendit. Kur politika e sulmon drejtësinë, do të thotë se ajo ndjen rrezikun e vërtetë të llogaridhënies. Dhe kjo është një shenjë pozitive për demokracinë dhe sundimin e ligjit", shtoi ai.
Lini një Përgjigje