TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Janar 2025, 17:37

"SPAK nuk intimidohet as provokohet", Preç Zogaj tregon pse Meta la pas sulmet ndaj Dumanit

Shkruar nga Pamfleti

"SPAK nuk intimidohet as provokohet", Preç Zogaj tregon pse

Analisti Preç Zogaj tha se SPAK është institucioni që po shkruan historinë, pasi po prek njerëz, që deri dje ishin të paprekshëm.

Sipas tij, Struktura e Posaçme po punon përditë me dinamikë ndërsa shtoi se sot ish-presidenti Meta u paraqit denjësisht përpara drejtësisë, duke lënë pas sharjet ndaj institucionit të akuzës. Zogaj tha se SPAK nuk intimidohet dhe as provokohet nga sulmet e Berishës, ndërsa ish-kryeministri u la në “detyrim paraqitje”.

“Në mendimin tim, SPAK po bën punën me dosje të ndryshme. SPAK po punon, çdo ditë ka dinamika. Meta u paraqit sot, u paraqit ashtu siç i takon një shtetari, duke u përballur drejtpërdrejtë, duke lënë pas akuzat dhe sharjet. Ilir Meta e ka kuptuar dhe e di shumë mirë se kjo betejë bëhet vetëm kështu, duke u përballur.  Nga ana e tij, Sali Berisha iu përmbajt masës së SPAK, por vijon retorikën e ashpër ndaj institucionit të akuzës. SPAK nuk intimidohet e as provokohet. SPAK është institucion që sheh gjërat ftohtë, përfaqëson institucionin e akuzës, po bën punën që i takon në mënyrë racionale. Të sfidosh drejtësinë nuk është normale dhe as e zakonshme. Qëndrimi mund të jetë kritik, por duhet të respektohet institucioni. Duhet thënë se SPAK po shkruan histori për sundimin e ligjit, po normalizon hetimet në sfera të larta.

Pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, një fenomen tipik shqiptar, që është përmendur edhe në raporte ndërkombëtare. Askush nuk është i paprekshëm nga ligji. Ka hetime nga të gjitha krahët, ka hetime kudo që ka akuzë. Në këtë pikëpamje, nuk mund të them se SPAK po punon me dy standarde. Këtë e thonë ata që janë në konflikt interesi kryesisht. SPAK po i del përballë një gangrene, duke goditur politikanë, banda, që kanë nga pas edhe pasuri të madhe, nuk është e lehtë, ndaj puna e Strukturës së Posaçme duhet vlerësuar”, tha Zogaj për “News 24”.

Analisti tha gjithashtu se partitë që në zgjedhje do të mbështesin SPAK do të kenë favor elektoral. Sipas tij, kjo vjen pasi SPAK ka mbështetje të madhe në popull.

“Së shpejti, do të nisë beteja në gjykatë e politikanëve. Publiku do të shikojë gjyqet, do të shikojë qëndrimet e drejtësisë, por edhe të të akuzuarve. Unë mendoj se partitë që mbështesin SPAK kanë favor elektoral, pasi SPAK ka  mbështetje të madhe publike. Kush nuk e sheh këtë gjë, nuk është realist. Partitë e vogla që mbështesin SPAK do të kenë favor, por besoj se nëse do të bëheshin bashkë do të ishin më të fortë. Nëse konkurrojnë veçmas në zgjedhje, vota për ta mund të mos jetë aq me vlerë. Vota e diasporës është një e drejtë kushtetuese, që po gjen zbatim edhe ligjërisht”, u shpreh Zogaj.

Lini një Përgjigje