TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Gusht 2025, 17:50

Shqipëria po rrudhet, 'INSTAT': Numri i lindjeve ra me 7.4% në tremujorin e dytë të vitit!

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria po rrudhet, 'INSTAT': Numri i lindjeve ra me 7.4%

Popullsia e Shqipërisë vazhdon të tkurret si pasojë e rënies së numrit të lindjeve. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 u regjistruan 4,982 lindje, një ulje prej 7.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur numri i bebeve të lindura arriti në 5,380.

Raporti i INSTAT tregon se shtesa natyrore e popullsisë për këtë periudhë mbeti pozitive, me vetëm 48 lindje më shumë se vdekjet. Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2025 arriti në 4,934, duke shënuar një rënie prej 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga analiza e të dhënave sipas qarqeve, Tirana rezulton të jetë qarku me numrin më të lartë të lindjeve, me 1,982 foshnje të lindura, dhe njëkohësisht me shtesën natyrore më të madhe, me 691 lindje më shumë se vdekjet.

Në anën tjetër, Gjirokastra regjistroi numrin më të ulët të lindjeve, me vetëm 74 bebe. Sa i përket ndryshimeve në përqindje, Kukësi shënoi rritjen më të madhe të lindjeve me 6.5% krahasuar me tremujorin e dytë të 2024-ës, ndërsa Korça pësoi rënien më të theksuar, me 26% më pak lindje.

Korça gjithashtu kishte shtesën natyrore më të ulët, me 226 vdekje më shumë se lindje. Rënia e numrit të lindjeve ka ndikuar edhe në buxhetin e shtetit, veçanërisht në shpenzimet për bonusin e bebeve. Sipas të dhënave, në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës u disbursuan 500 milionë lekë për këtë bonus, 71 milionë lekë më pak se 571 milionë lekët e shpenzuara në të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Këto shifra nxjerrin në pah sfidat demografike me të cilat përballet Shqipëria, ku rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë po ndikojnë në zvogëlimin e popullsisë, duke ngritur shqetësime për të ardhmen e strukturës demografike të vendit.

Lini një Përgjigje