
Referuar të dhënave zyrtare, nga të gjitha vendet e Aleancës u shpenzua një total prej rreth 1.456 trilion dollarë, ku pothuajse 2/3 erdhën nga Uashingtoni. Sipas listës, 3 shtetet që kanë kontributet më të vogla janë Mali i Zi (139 milionë dollarë), Maqedonia e Veriut (317 milionë dollarë) dhe Shqipëria (532 milionë dollarë).
Vendet anëtare të NATO-s u dakordësuan sot për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me 5 % të PBB-së, objektiv që duhet të arrihet deri në vitin 2035. Kundër propozimit amerikanpër rritjen e shpenzimeve të Mbrojtjes ishte vetëm Spanja, e cila u shënjestrua sot nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili premtoi se do e detyronte këtë vend anëtar të paguante dyfishin, duke kujtuar edhe tarifat që SHBA po aplikon ndaj shteteve në marrëveshjet e tregtisë.
Momentalisht çdo vend anëtar i NATO-s duhej të paguajë 2 % të PBB-së për mbrojtjen, por përtej përqindjeve, një aspekt që tregon se sa shpenzon secili vend janë vlerat absolute që investohen. Mes liderëve të NATO-s që u mblodhën në Hagë ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ishte ndër të parë mes homologëve të tij të Aleancës që kur Donald Trump kërkoi rritjen e përqindjes së PBB-së e mbështeti atë. Por në vlerë absolute, pra jo në përqindjen e PBB-së, Shqipëria është ndër vendet me shpenzimet më të vogla mes anëtarëve të Aleancës.
Nga 31 shtetet e NATO-s me forcat e tyre të armatosura, 22 arritën objektivin prej 2 përqind, me një mesatare prej 2.61 përqind të PBB-së që shkonte në mbrojtje. Mes këtyre vendeve përfshihet edhe Shqipëria, e cila me përqindjen e PBB-së është në rregull, bazuar në atë që ishte në fuqi.
Polonia kryesoi me 4.07 përqind, e ndjekur nga Estonia me 3.41 përqind dhe Letonia me 3.39 përqind. Shtetet e Bashkuara (3.19 përqind) dhe Lituania (3.11 përqind) gjithashtu shpenzuan më shumë se tre përqind për mbrojtje. Gjermania u rendit e 14-ta me 2.1 përqind.

Por sa janë shifrat absolute që shpenzon çdo vend për Mbrojtjen?
Këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen të parat me 935 miliardë dollarë, ose 10 herë më shumë se Gjermania që renditet e dyta. Sipas NATO-s, Berlini investoi ekuivalentin e 99.16 miliardë dollarëve në mbrojtje, shifra e dytë më e lartë pas Shteteve të Bashkuara. Mbretëria e Bashkuar renditet e 3-ta me 84.041 miliardë dollarë.
Referuar të dhënave zyrtare, nga të gjitha vendet e Aleancës u shpenzua një total prej rreth 1.456 trilion dollarë, ku pothuajse 2/3 erdhën nga Uashingtoni.
Sipas listës, 3 shtetet që kanë kontributet më të vogla janë Mali i Zi (139 milionë dollarë), Maqedonia e Veriut (317 milionë dollarë) dhe Shqipëria (532 milionë dollarë).
Kur shikohet pjesa e PBB-së, Spanja renditet e fundit me 1.24 përqind, Belgjika me 1.29 përqind dhe Luksemburgu, me 1.3 përqind.
Sipas planeve të NATO-s, secili anëtar duhet të ketë kohë deri në vitin 2035 për të rritur PBB-në e tij në 5 përqind. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte tha në ditën e dytë të takimit në Hagë se, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqet Rusia dhe situatën e sigurisë ndërkombëtare, partnerët janë të bindur fuqimisht se nuk ka "alternativë tjetër".
Investimet e vlerësuara të vendeve të NATO-s në mbrojtje në vitin 2024
1. SHBA: 935 miliardë dollarë amerikanë
2. Gjermania: 99.16 miliardë dollarë amerikanë
3. Mbretëria e Bashkuar: 84.041 miliardë dollarë
4. Franca: 64.922 miliardë dollarë amerikanë
5. Italia: 35.633 miliardë dollarë amerikanë
...
27. Sllovenia: 986 milionë dollarë amerikanë
28. Luksemburgu: 758 milionë dollarë
29. Shqipëria: 532 milionë dollarë amerikanë
30. Maqedonia e Veriut: 317 milionë dollarë
31. Mali i Zi: 139 milionë dollarë amerikanë

Referuar shpenzimeve, pavarësisht se Shqipëria renditet ndër vendet që ka tejkaluar 2 % e PBB-së, sikundër ishte tavani deri më sot, në rastin e vlerave reale të shpenzuara, renditet e 3-ta nga fundi duke lënë pas Maqedoninë dhe Malin e Zi, dy vendet fqinje të Rajonit.
Megjithatë, shpejtësia me të cilën vendet do të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në përputhje me rrethanat, në shumë raste më shumë se dyfishimi i tyre, lihet në diskrecionin e secilit udhëheqës kombëtar. Meqenëse ka dhjetë vjet për të përmbushur objektivin prej 5 përqind, është e pamundur të parashikohet me të vërtetë se çfarë shumash do të ndahen në vitet e ardhshme. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje