
Ditën e djeshme në media u raportua për një përplasje e ashpër fizike mes bluzave të bardha në administratën e Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë.
Përplasja është denoncuar në rrjetet sociale nga vetë faqja e USSH-së.
Megjithatë në një reagim të sotëm, faqja e USSH-së sqaron se profili i tyre është hakeruar dhe mediat janë furnizuar me lajme të rreme.
USSH ka publikuar një video ku sipas saj bëhet e qartë se nuk ka pasur përplasje fizike, dhe se vetë doktoresha Orjeta Musabelli ka inskenuar dhunën e ushtruar ndaj saj.
Në reagimin e ri, USSH pretendon se familjarët e ish-drejtorit, i cili u pezullua nga detyra për shkak të nepotizmit, kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e administratës.
Prej datës 1 tetor, kur Nikoll Deda, kryetari me mandat të përfunduar i Urdhrit të Stomatologut , u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Tiranës dhe kërkesë të organit të akuzës, për punësimin e të fejuarave të djemve të tij si dhe blerjen e një godine në emër të institucionit me vlerë 700.000 euro, ka nisur një përplasje mes dy administratave, të vjetrës që pretendon se persona të paautorizuar kanë zaptuar me forcë dhe në mënyrë të paligjshme zyrat e tyre dhe të resë që nga ana e saj pohon se punonjësit e mëparshëm janë shkarkuar.
Lini një Përgjigje