TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Qershor 2025, 14:57

Sarandë/ Drejtori i IMT, Nasip Hoxha, fytyra e pushtetit të korruptuar e të inkriminuar të Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Sarandë/ Drejtori i IMT, Nasip Hoxha, fytyra e pushtetit të korruptuar
Nasip Hoxha /

I emëruar nga Oltion Çaçi dhe i mbrojtur nga Babloku, drejtori i IMT-së në Sarandë është arrestuar, kallëzuar dhe denoncuar dhjetëra herë për ndërtim pa leje, korrupsion dhe falsifikim, por vazhdon të komandojë territorin si një bandë e licensuar e shtetit...

Kur më 22 shkurt 2022 u arrestua Kryeinspektorja e Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Sarandë, Romina Pulaj, qytetarët dhe bizneset menduan se më në fund do të ndalej zaptimi i hapësirave publike, ndërtimeve pa leje, ryshfeteve dhe gjobave klienteliste. Por zhgënjimi erdhi shumë shpejt. Pas një periudhe të shkurtër me drejtues formalë dhe pa peshë, të komanduar nga ish-kryebashkiaku Adrian Gurma, në korrik 2023 drejtimin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) e mori një figurë edhe më problematike: Nasip Hoxha, i njohur për rekorde të errëta abuzimi dhe korrupsioni.

Gjatë dy viteve në këtë post, Nasip Hoxha është denoncuar mbi 130 herë pranë Kryetarit të Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi, por nuk është marrë asnjë masë ndaj tij. Përkundrazi, Nasipi jo vetëm që ka vazhduar në detyrë, por është bërë edhe më i fuqishëm. Lejon ndërtimin e pallateve dhe vilave pa leje, shtesa hotelesh, zaptimin e trojeve shtetërore, prerjen e pemëve në parqe publike, ngritjen e kioska-ve në trotuare dhe plazhe publike, të gjitha me “letra të falsifikuara” ose fare pa dokumente. Nuk mungojnë as rastet kur janë marrë ryshfete për të toleruar ndërtimet e paligjshme.

Kryebashkiaku Oltion Çaçi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta shkarkuar, për arsyen e thjeshtë se Nasipi është sekseri i tij personal për pazaret me ndërtuesit, biznesmenët, shefat lokalë të institucioneve, deputetët e zonës, qeveritarë të lartë dhe “të fortët” e pushtetit. Në biseda me njerëz të afërt, Nasipi shprehet hapur se “urdhrat vijnë nga lart”, dhe se çdo zarf, çantë apo “marifet” ndahet sipas peshës së zinxhirit të ryshfetit.

Një rast konkret i abuzimit të tij është dokumentuar në shkresën zyrtare nr. 3839, datë 30 maj 2025, me të cilën vetë kryebashkiaku Çaçi pranon se në rrugën “Butrinti” është zaptuar një sipërfaqe publike pa leje dhe se po ndërtohet një bar-lulishte private. Megjithatë, në terren, Nasipi u ka thënë qytetarëve se ndërtimi ka “leje të rregullt nga Bashkia”. Madje, kur denoncimi arriti te publiku, Nasip Hoxha rriti tarifat e ryshfetit, pasi ndjeu sigurinë e paprekshmërisë që i garanton vetë kryetari Çaçi.

Ndaj tij janë depozituar 60 denoncime në Policinë e Sarandës dhe 13 kallëzime penale në prokurorinë e rrethit, por asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Pse? Sepse përveç “qokave” që ka bërë me segmente të policisë dhe prokurorisë lokale, të gjithë e dinë se Nasipi nuk preket pa urdhër nga lart – dhe lart është vetë Babloku.

Rikujtojmë se më 23 nëntor 2023, vetëm katër muaj pas emërimit, Nasip Hoxha u arrestua për shpërdorim detyre, lejim ndërtimesh pa leje, falsifikim të raporteve të kontrollit të territorit dhe marrje ryshfeti. Por edhe kjo histori mbyllet me një farsë. Ai “u sëmur papritur”, siguronte një epikrizë të rreme për sëmundje të rëndë, dhe pas vetëm 21 ditësh në paraburgim, u lirua me detyrim paraqitje. Bashkia Sarandë jo vetëm që nuk e shkarkoi, por i pagoi edhe 21 ditët e arrestit si ditë pune.

Përpara se të bëhej drejtues i IMT-së në Bashkinë Sarandë, Nasipi ishte drejtor i paraburgimit të qytetit, nga ku u shkarkua dhe u kallëzua për futje droge, armësh të ftohta dhe celularësh në qelitë e të paraburgosurve, një skandal që u mbulua, si shumë të tjera në Sarandën e pushtetit të lidhur me krimin.

Më 13 mars 2024, u arrestuan tre inspektorë të IMT-së, Viktor Qesari, Oltin Durmishi dhe Tonin Simoni, për marrje ryshfeti dhe lejim ndërtimesh të paligjshme. Në dëshmitë e tyre pranë prokurorisë, ata deklaruan se urdhrat i merrnin nga kryeinspektori Nasip Hoxha, dhe se pjesën e ryshfeteve ia dorëzonin atij. Pavarësisht këtyre dëshmive, Nasipi as nuk u thirr për një deklaratë, dhe vazhdon i paprekur të drejtojë inspektoratin.

Fakti që as kryeministri Edi Rama, edhe pas dhjetëra denoncimeve publike, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për largimin e tij, flet qartë: Nasip Hoxha është fytyra e pushtetit të vërtetë të Bablokut në Sarandë, një përfaqësues brutal i korrupsionit dhe inkriminimit institucional, që përdor funksionin për të shkatërruar territorin, për të frikësuar qytetarët dhe për të forcuar zinxhirin e ryshfeteve nga fundi deri në majë të piramidës së pushtetit./Pamfleti

nasip hoxha fytyra e pushtetit të korruptuar saranda

Lini një Përgjigje