
Për zbutjen e krizës së mungesës së fuqisë punëtore, kompanitë call center kanë vijuar me politikën e vazhdueshme të pagave.
Ervin Gogo, administrator i “Alba Contact”, pohon se kjo masë nuk ka arritur të shtojë numrin e stafit, ndërsa forca më e lartë punëtore është përqendruar në dy deri në tre kompanitë më të mëdha të sektorit.
Z. Gogo thotë edhe pse Shqipëria ka për të mbetur edhe për 10 vite të tjera një treg “low cost” dhe nuk do të përbëjë avantazh konkurrues nëse nuk përmirësohen standardet e burimeve njerëzore.
Si paraqitet situata në lidhje me kontratat e shërbimeve krahasuar me vitin e kaluar?
Në tërësi, propozimet nga kompanitë italiane për bashkëpunim nuk mungojnë, vetëm se ato janë tjetërsuar. Propozimet nuk janë më në sektorët e zakonshëm të energjisë apo të telefonisë dhe internetit, por sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Krahasuar me periudhën e para 5 viteve, këto propozime të reja zakonisht nuk ngjallin interes për call center shqiptare, sepse bëhen nga kompani jo të njohura, me volume të vogla, pa shumë garanci dhe mbi të gjitha me propozime financiare jo të pranueshme për standardin aktual të tregut shqiptar.
Ngelen të pakta propozimet që vijnë nga vende të tjera dhe në gjuhë të ndryshme nga italishtja.
A po has kompania juaj vështirësi në gjetjen e punonjësve?
Kemi vështirësi në gjetjen e punonjësve dhe arsyeja tashmë nuk është më vetëm largimi i forcës punëtore jashtë vendit, por edhe humbja e interesit nga të rinjtë për të punuar në call center.
Italishtfolësit janë në zhdukje dhe ata që janë, punojnë masivisht në 2-3 call center më të mëdhenj në Shqipëri.
Rritja e pagave nuk ka sjellë asnjë përmirësim në rritjen e numrit të punonjësve. Dinamikat e tregut kanë ndryshuar dhe forca punëtore përfshihet në tregun e punës në moshë të vonë, mbi 23 vjeç dhe i drejtohen menjëherë profesionit.
Studentët po punojnë gjithmonë e më pak në tërësi dhe në veçanti në call center.
A keni menduar të punësoni punonjës nga shtetet e huaja për zgjidhjen e kësaj problematike të mprehtë?
Jo, është shumë e komplikuar ndjekja e perfomancave në distancë. Rrezikohet garancia për mbrojtjen e të dhënave dhe menaxhimi i kontratës së punës është i vështirë.
Për sa i përket avantazhit të krahut të lirë të punës dhe të rinjve të shumtë që njohin gjuhën italiane dhe angleze, a vijon të mbetet Shqipëria një vend i favorshëm për zhvillimin e këtij sektori?
Absolutisht po, sepse në të njëjtën kohë që rriten kostot në Shqipëri, rriten dhe në vendet e tjera, kështu që ka gjithmonë marzh fitimi për investitorët e huaj. Shqipëria ka për të ngelur “low cost” edhe për të paktën 10 vjet.
Problemi qëndron që Shqipëria ka një treg pune shumë të prapambetur në terma teknologjie, fleksibilitet të vogël ndaj inovacionit dhe nuk ka standarde të mira në burimet e veta njerëzore.
Si e parashikoni trendi i kontratave gjatë 2024-s por edhe problematikës për gjetjen e punonjësve, a do të arrijë të zgjidhet?
Në 2024, “Alba Contact” do të vazhdojë punën e saj. Volumet e punës në krahasim me 2023 nuk presim të bien. Do të përqendrohemi te puna selektive, cilësore dhe jo rritja e volumeve.
Kontratat e bashkëpunimit do të vazhdojnë të fokusohen në treg ndërkombëtar dhe ne do të japim ofertat tona vetëm për gjuhë të ndryshme nga gjuha italiane.
Vitet e fundit, në Shqipëri është shtuar numri i kompanive Forex. Në opinionin tuaj, a po e dëmtojnë ato sektorin call center, në marrjen e punonjësve, duke krijuar boshllëk në tregun e burimeve njerëzore?
Në fakt, tregu i Forex po shkon drejt shkatërrimit dhe mendoj se brenda 2024-s nuk ka për të ngelur më asnjë kompani e tillë. Këto kompani e krijuan dëmin.
I morën tregut të rregullt mijëra punonjës në vite, duke krijuar një standard të dyfishtë mbi pritshmëritë e pagave. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që dolën nga tregu i Forex u janë rikthyer call center të rregullt./ Monitor
Lini një Përgjigje