TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Shtator 2024, 18:25

Romeo Kara: Si njerëz brenda PS më bënë presion për të zhdukur 70 mijë faqe të dosjes ‘CEZ-DIA’ ku fundosen Meta dhe Berisha

Shkruar nga Pamfleti

Romeo Kara: Si njerëz brenda PS më bënë presion për

Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha do të akuzohet nesër nga SPAK për 3 vepra penale. Nga ana tjetër, Z.Kara ka nxjerrë prapaskena të bujshme nga dosja “CEZ-DIA”. Falë tij, u rihap nga SPAK afera që u mbyll nga drejtësia e vjetër. Për punën e tij me fakte të qepura dhe të servirura gati për prokurorët specialë, avokati tregon se ka marrë presione edhe nga njerëz brenda Partisë Socialiste. Ky rast sipas tij, tregon se klasa e vjetër politike është bashkë për të mbrojtur njëri-tjetrin pasi kanë ngrënë dhe vazhdojnë të hanë të gjithë në një tavë.

-Berisha shkon në SPAK të mërkurën për dosjen ‘Partizani’, do njihet me akuzat së bashku me Malltezin, çfarë rrezikojnë sipas jush? Mendoni se gjithë ky hetim i gjatë i prokurorëve ka sjellë qepjen e provave për të dënuar Sali Berishën dhe Malltezin?

Unë mendoj se provat janë, lidhjet shkak-pasojë janë, shpërdorimi i detyrës është kryer nga Sali Berisha dhe besoj se edhe hetimi pasuror ka arritur në përfundimin që ata e kanë konsumuar veprën penale për të cilën ka dyshime të forta SPAK-u dhe për të cilën Gjykata ka vënë masën e sigurisë për të dy. Mendoj që ka patur një masë që kur Gjykata ka dhënë vendimin për gjendjen e tyre të arrestit, ka qenë përtej dyshimit për ta, që këta e kanë kryer një vepër. Kanë dhënë këtë masë për Berishën e sidomos edhe për dhëndrin e tij, duke menduar që ata mund të kryejnë dhe një vepër tjetër e për të penguar deri diku edhe pastrimin e produkteve penale e si e tillë mund të dëmtohen provat. Duke vazhduar më tej dhe mos reaguar Gjykata edhe kur kanë kërkuar palët për ndryshimin e masës së arrestit, tregon se Gjykata dhe SPAK-u, nuk kanë ndryshuar mendje. Pra nuk kanë dhënë arsye për të cilën është venduar masa. Pra, përgjatë gjithë kësaj kohe ata kanë qenë të bindur se këto persona e kanë kryer këtë vepër penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe të pastrimit të parave, për 3 vepra penale për të cilat akuzohen.

-Mendoni se nesër Berisha do të paraqitet vetë me dhëndrin e tij, z.Malltezin në SPAK apo do të justifikohet sërish për drejtësinë re e si e tillë do të përfaqësohet nga juristët e tij duke zvarritur çështjen?

Nëse ai do të thirret si person për t’u pyetur, ai patjetër që duhet të paraqitet në SPAK. Por nëse është thjeshtë një seancë e radhës, mund të përfaqësohet dhe nga avokatët e tij. Kjo çështje duhet parë. Kur thirret si person, duhet të shkojë si person, por unë jam i qartë se nuk e kanë thirrur as këtë rast, e mund të çoj edhe avokatët e tij edhe këtë herë.

-Në zgjedhjet e ardhshme, parë në perspektivën e rëndësisë së procesit demokratik mbi Shqipërinë. Është folur për shumë e shumë dosje, të cilat në qëllimet e SPAK-ut, janë parë si mundësia për të pastruar politikën. Deri në zgjedhjet e ardhshme, beson se do të ketë procese të bujshme gjyqësore që mund të prodhojnë një parlament më dinjitoz nesër?

Edmond Burger thotë pa drejtësi nuk mund të ketë as liri e as demokraci. Edhe nëse krijuam një lloj lirie Nëse ne do të shkojmë në zgjedhjet e ardhme me këtë establishment që është, e sigurtë është se PS do të jetë në pushtet, PD-ja nuk e do Berishën pasi ka ngelur një klan i varur nga Berisha dhe kjo u pa dhe nga listat që janë vendosur nga ai edhe pse nuk është kryetar de jure, ai de facto kontrollon me ato lista të vjetra. Ai e di se nuk i duhet pushteti por do të marr një grup deputetësh dhe thjesht do të kontrollojë stabilitetin në Shqipëri dhe të jetë një faktor de stabilizues dhe të paguajë qëndrimin e tij i cili i duhet, qoftë me muaj apo në pak vite.

Në krahun tjetër, PS-ja nga ana tjetër do të jetë përsëritëse e vetvetes, se thelbi nuk ka ndryshuar, kanë ndryshuar vetëm disa persona që nuk kanë rëndësi në vendimmarrje e nuk përfaqësojnë ndonjë gjë të veçantë. Deri tani është precipituar që e gjithë fuqia shkon te kryetarët, do të kemi një përsëritje të kësaj tabloje që kemi patur deri diku me përmirësime që nuk besoj se do të jetë thelbësore. Faktori i tretë, do të jetë faktori drejtësi. SPAK-u është faktor tronditës. Të gjitha palët i kanë bërë urë lidhëse duke qenë në raport me të ardhmen e afërt të SPAK-ut, pra kush të ketë probleme me të, të mos goditet më qoftë nga kundërshtari me goditje politikisht qoftë me akuzat për korrupsion. Kjo është karta kryesore. SPAK-u është me vonesë, deri tani i shpallet luftë korrupsionit për 6-vitet e fundit, duhet të ishte vënë me shpatulla pas murrit i gjithë establishmentin.

Këta nuk kanë brirë se SPAK është i gjunjëzuar, edhe populli, se po të çohen, këta politikanë janë më të dobët sesa shkon imagjinata. Këta nuk kanë brirë, ne thjesht nuk e kemi ndarë mendjen të përballemi. Dhe SPAK-u vetë si strukturë nuk e ka ndarë mendjen të përballet siç duhet të përballet por është në një lloj nënshtrimi dhe inferioriteti total me politikën. Nëse SPAK-u do të bëj lëvizjet e duhura, këto parti nuk do të shkojnë kaq krenare drejt zgjedhjeve. E dyta, establishmenti politik do të fusë ujë por edhe nëse do të shkojmë në këto zgjedhje, problemet nuk do të zgjidhen por do të shkojnë në zgjedhje të përkohshme që për një kohë të shkurtër do të prodhojnë zgjedhje të ardhshme. O duhet të shkojnë drejt zgjidhjeve ose shqiptarët do të pranojnë se falimentuan si popull dhe nuk e meritojnë këtë vend, ku një pjesë e madhe ka ikur dhe një pjesë e konsideruar do të ik nga ky vend.

Nuk shkohet me karta të tjera politike. Ku ka korrupsion dhe ku ka padrejtësi, ka gjithmonë varfëri e mungesë të drejtave të njeriut. Si do të zgjidhen problemet e shqiptarëve që nga strehimi, nga minimumi jetik, rishpërndarja e pasurisë, etj. Unë duhet të isha për një për një alternativë të re e cila dhe do të fuqizonte shtetin dhe nga ana e të bërit shpronësimet nga krahu tjetër. Do të zhvishnim oligarkët dhe politikanët nga ana tjetër, nga miliardat që kanë vjedhur e të fuqizonim ekonominë e shtetit të cilën këto e grabitën me pa të drejtë. Dhe ne të fuqizonim pjesën e biznesit të vogël dhe të biznesit të mesëm.

Sa i përket Ilir Metës, u fol për shumë dosje, mediat folën për arrestim brenda javës e muajit por asgjë nuk ndodhi. Çfarë do të ndodh me të dy se mbeten njerëzit më të rëndësishëm të asaj pjese të opozitës që përfaqësojnë?

Në lidhje me raportin Meta-Berisha se pse nuk janë arrestuar deri tani, SPAK-u është i vonuar. Duhet të kishte mbaruar punë deri tani me këto të dy persona. Zgjedhjet e 2025, është turpi i yni por edhe i drejtësisë që na gjejnë me këto persona por edhe i drejtësisë. Këto po mbajnë peng alternativën e opozitës në Shqipëri dhe mënyrën si e votuan dhe ranë dakord për kodin zgjedhor, tregon që këto janë pengmarrësit më të mëdhenj, si të opozitës dhe të gjithë situatës politike në Shqipëri. Nuk mendoj se Berisha me Metën, duke i bërë presion SPAK-ut, do të realizojnë gjë si zgjidhje. Iu them amerikanëve, zbatojeni urdhrin ekzekutiv të Biden-it që ju mund ta luftoni direkt korrupsionin në vendin e origjinës. Amerika duhet të ekzekutojë urdhrat dhe t’i arrestojë direkte pasi ndryshe do të jemi drejtë mbijetesës. O duhet të bëhet kjo punë me ligj ose do falimentojmë ose shqiptarët çoji në revolucion, rrugë tjetër nuk ka.

-A e shihni kritik bashkëpunimin që mund të ketë ndodhur si amnistia penale, rasti i kodit zgjedhor si dhe ardhmëria e Parlamentit?

Ato mendojnë se ne nuk i dimë, por dimë më shumë se ato. Edhe kur janë ortak në biznese të mëdha, ato bëjnë teatër absurd dhe shumë cinik me popullin dhe veten e tyre në këto momente.

-Është e vërtetë avokat, që janë ortak në biznes?

Po, ne e dimë dhe ndërmjetësit më të sigurt janë vetë oligarkët. Ka ortakë që janë forcuar nga Berisha dhe marrin tendera nga ana tjetër. Ne i dimë dhe me emra se kush janë, ne e dimë se çfarë fuqie kanë, i dimë si janë fituar paratë dhe si janë bërë investimet. Ne po kërkojmë që ata të persona të konkurrojnë në rrugën e së drejtës por janë duke përfituar nga krimi, paratë e vjedhura, keq administrimin e administratës dhe të shtetit. Të marrësh shtetin dhe ta fusësh në xhep e ta ndash me aktorë të korruptuar e me gangsterë. Unë që i them këto, i kam marrë parasysh dhe e kam ditur fare mirë se do të përballem në këtë pikë se kam ngacmuar establishmentin. Kush e mbylli çështjen e CEZ-DIA-s? Bashkë ranë dakord ta mbyllin, një nga çështjet më të kopsitura kundra korrupsionit. Ka punuar katër vite Berisha për atë çështje, e ka zgjatur nga 2005-2009, kur e mbylli dhe në Parlament ku bëri dhe privatizimin më të turpshëm në atë kohë. Ka punuar katër vite, ndryshoi kodin tregtar, ligjin për ndërmarrjet tregtare, ndryshoi disa herë deklaratën e rregullatorit të ERE-së, bëri më shpejtësi ligjin për tregun e energjisë elektrike, etj.

-Është dosje që e keni denoncuar ju?

Po, është mbyllur si dosje, e shitën pa e hapur fare. Është në Gjykatë të Lartë dhe gjendjet atje. Është mbyllur pa u investiguar. Ky është trup që është mbyllur prej vitit 2020, ku u shty sa u shty dhe më pas u mbyll si çështje. Nuk i takonte Prokurorisë së Tiranës të merrej me atë dosje por SPAK-ut. Asnjë nuk bëri rekurs, vetëm unë, pasi si mund të lejohet që vetëm me një të rënë lapsit i jep qindra-miliona euro i jep atje dhe del një njeri që nuk është marrë kurrë me energjinë elektrike. Sinuel Kalaj, merr miliona euro gjoja për konsulence në fushën e energjisë, që nuk ka lidhje fare me energjinë, është e hapur fare. Menduan se zhdukën dosjet, menduan se nuk ka më dosje, e kam krijuar vetë dosjen nga e para, 70 mijë faqe, në OSSHE, ne KEESH, në ERE, në OST, në ministri, në kryeministri dhe është krijuar dosja nga e para. Dhe e panë që ishte krijuar dosja perfekt, më thanë sikur të ishte atje. Ndaj them që janë bashkë, pse e mbyllën bashkë atë dosje, edhe më kanë ardhur persona edhe nga ky pushtet tani më kërkuar për ta mbyllur atë punë dhe se kam mbyllur.

-Iu kanë kërkuar njerëz të PS për ta mbyllur atë çështje?

Po, persona të PS më kanë kërkuar që ta mbyll atë çështje e që të tërhiqesha. Dhe ka patur një kosto për mua por tani nuk dua t’ia di pasi kam besim te ato të vërteta që unë po kërkoj më insistim. Dhe kjo është një provë durimi për mua e për ata. Këto fantazma politike hiqen vetëm me shpatën e drejtësisë, se ndryshe nuk hiqen vetë. /SOT

Lini një Përgjigje