
GJKKO ka rrëzuar ish-kryetarin e Bashkisë së Divjakës, e Fredi Kokoneshit, i cili paditi për shpifje Ervin Salianjin dhe Myslym Murrizin.
GJKKO bën me dije se ka pushuar çështjen pasi ndjekja penale është ushtruar në tejkalim të afatit të parashkrimit.
Murriz dhe Salinji disa vite më parë akuzuan Kokoneshin se ishte i përfshirë në trafik prostitucioni dhe këtë e kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit.
“Sot jemi këtu pas denoncimit që ka bërë ish sekretari i PS-së së Divjakës, Bert Monja i cili akuzon haptazi kryebashkiakun Kokoneshi si tutor prostitutash dhe është e habitshme që Kokoneshi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta paditur për shpifje. Ne vijmë sot këtu sepse ka filluar fenomeni domino i rrëzimit një nga një të të inkriminuarve pas hyrjes në fuqi të ligjit për dekriminalizimin, ashtu si në rastin e kryetarit të bashkisë së Kavajës. Shpejt qytetarët do të mësojnë të vërtetat rreth formularit të deklarimit të bashkiakut Kokoneshi. Ne do ti drejtohemi Prokurorit të Përgjithshëm për të vërtetuar akuzat nga shoku i tij i ngushtë dhe ish sekretari i Partisë Socialiste të zonës së Divjakës. Asgjë më tepër nuk ngrejmë ne si PD, me çka thotë ai në një konferencë shtypi, që e kanë dhënë mediat. Nëse Kokoneshi ndihet i qetë nuk ka pse sjell këtu tellallë por ti drejtohet gjykatës për shpifje”, deklaronte Murrizi.
“Siç e shikoni ne jemi në rrugëtimin tonë bashkë me qytetarët për ti treguar Edi Ramës dhe qeverisë se ku i ka futur kriminelët që kemi prej 2 vitesh e gjysëm e që i kemi denoncuar si Parti Demokratike. Sot, ish drejtuesi i Partisë Socialiste të zonës dhe miku i ngushtë i kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi e ka akuzuar si një person që në vitet 95-96 ka trafikuar dhe ka bërë tutorin për vajza në rrugët e Italisë. Në vetëdeklarimin e tij nuk e ka deklaruar dhe ne sot i bëjmë thirrje para bashkisë së Divjakës, prokurorisë që të nisë hetimet dhe ti ndërpritet menjëherë mandati kryebashkiakut të Divjakës për deklarimin të rremë sipas ligjit të dekirminalizimit. Siç e shikoni në çdo cep institucione publike nuk janë në shërbim të publikut por janë në shërbim të krimit dhe personave të inkriminuar. Edhe sot këtu shohim disa punonjës së bashkisë që provokojnë dhe nuk lejojnë qytetarët në të drejtën e tyre për të dhënë deklarata e për të kërkuar llogari për një akuzë publike të bërë nga vetë nga brenda radhëve të PS. Kryebashkiaku është i detyruar ta sqarojë nëse është hetuar nga autoritetet policore italiane apo jo”, deklaronte Salianji.
Njoftimi i plotë
1. I dëmtuari akuzues Fredi Konkoneshi, më datë 04.04.2024 ka paraqitur pranë kësaj Gjykate kërkesën për gjykimin e ҫështjes penale me objekt: “Fillimin e procedimit penal ndaj Partisë Demokratike, për z. Myslim Murrizi, z. Ervin Salianji, deklarimin fajtor për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes”, parashikuar nga neni 120 i K.Penal”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 328 pika 1, shkronja ç) dhe f) dhe 59 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 66, shkronja dh) dhe 120 të Kodit Penal, me vendimin nr.50, datë 10.09.2024 vendosi:
1. Pushimin e çështjes penale me nr. 70, datë regjistrimi 04.04.2024, me palë: I dëmtuar akuzues: Shtetasi Fredi Kokoneshi; Të akuzuar: Shtetasi Myslym Murizi dhe shtetasi Ervin Salianji; Akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpifja”, parashikuar nga neni 120 i Kodit Penal, pasi ndjekja penale është ushtruar në tejkalim të afatit të parashkrimit, sipas parashikimeve të nenit 66, shkronja dh) të Kodit Penal, dhe për këtë shkak, në referim te nenit 328, pika 1, shkronja f) të K.Pr.Penale, nuk mund të vazhdojë.
2. Shpenzimet gjyqësore mbeten siç janë bërë.
3. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. Tiranë, më datë 10.09.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Lini një Përgjigje