
Analisti Lorenc Vangjeli, ka komentuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke e cilësuar atë si një dokument që nuk hap, por mbyll debatin politik në vend.
Sipas Vangjelit, raporti nuk sjell as ndëshkim e as ndryshim real në jetën politike shqiptare, por vetëm i jep secilës palë mundësinë ta interpretojë sipas interesave të veta.
“Raporti as nuk e ndez apo hap debatin politik, por e mbyll. I jep një fitore në tavolinë pretendimeve të opozitës, ndërsa pala tjetër do lexojë rekomandimet dhe do thotë ‘hajde të bëjmë bashkë ca ndryshime’ dhe nuk do ndryshojë gjë”, tha Vangjeli në emisionin “Log.” në News24.
Ai shtoi se problematikat e përmendura në raport janë të njohura prej kohësh dhe janë bërë pjesë e pandashme e sistemit politik shqiptar.
“Vazhdimisht, në formën e një mozaiku, një pjesë e përfaqësuesve të partive të vogla kanë rrëfyer simptomat e sëmundjes së zgjedhjeve në Shqipëri, që janë të mbartura. Të dyja palët brohorasin fitoren: PS shijon rezultatin zgjedhor, ndërsa opozita thotë se pretendimet tona morën vulën e OSBE/ODIHR. Asgjë tjetër më pas”, tha Vangjeli.
Duke analizuar natyrën e garës elektorale, Vangjeli e përshkroi atë si një përballje personale midis dy figurave kryesore të politikës:
“Zgjedhjet ishin betejë mes dy personave, Ramës dhe Berishës, dhe që këtu gara ishte e mbaruar. Në Shqipëri nuk merret vesh ku mbaron njëri e ku fillon tjetri në aspektin e interesave”, shtoi ai.
Analisti nënvizoi se sistemi aktual zgjedhor, i pranuar nga të dyja palë, i jep përparësi fituesit dhe e lë votuesin pa ndikim real në përfaqësim.
“I dëmtuar pa kthim është sërish votuesi shqiptar që nuk i realizohet e drejta për të zgjedhur. Ka të drejtën për të hedhur votën, por si noterizues i listave të mbyllura që bëjnë liderët e partive të mëdha”, shtoi ai.
Vangjeli komentoi gjithashtu aspektin financiar të fushatës, duke theksuar pabarazinë mes forcave politike.
“Mazhoranca ka pasur më shumë burim financimi, vështirë t’i krahasosh të dyja, por përdori resurset shtetërore. Edhe opozita megjithatë hodhi në fushën e lojës rreth 6 milionë dollarë dhe kjo është vetëm pjesa e dukshme”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje