
Ligji i ri është “qepur” në mënyrë që ministri të bëjë çfarë të dojë me pronat...
Qeveria ka dërguar sot në Parlament një ligj të ri, përmes të cilit duket se do të ligjërohet “asgjësimi” i pronave të ushtrisë.
Olta Xhaçka është sot nën hetim nga SPAK për afera me pronat e ushtrisë, por Rama ka vendosur që ta bëjë me ligj konkret “shitjen” e pronave që ka Ministria e Mbrojtjes.
Por për çfarë bëhet fjalë? Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin: Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
Ky ligj përveçse forcon kompetencat e ministrit të Mbrojtjes, ka dhe disa klauzola që ngre mjaft pikëpyetje. Ligji aktual nuk ka asnjë nen apo pikë që flet për pronat e ushtrisë. Mirëpo ligji i ri është “qepur” në mënyrë që ministri të bëjë çfarë të dojë me pronat. Aty është shtuar një nen i tërë, sipas së cilit pronat e ushtrisë mund të jepen me qira apo të lidhen marrëveshje me subjekte të tjera që e duan në përdorim.
“Pronat në përgjegjësi administrimi administrohen nga Ministria e Mbrojtjes ose nga një person tjetër juridik, i krijuar sipas formave të parashikuara nga ligji, pranë Ministrisë së Mbrojtjes për këtë qëllim, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Pronat brenda dhe jashtë planit të vendosjes dhe përhapjes mund të jepen për përdorim të dyfishtë, në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, për aq kohë sa nuk cenohen kapacitetet operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, thekson ligji.
Më tej theksohet se termi i përdorimit të dyfishtë nga Ministria e Mbrojtjes nënkupton mundësinë për të administruar pronën shtetërore, në përgjegjësi administrimit të Ministrisë së Mbrojtjes, si në funksion të garantimit të veprimtarisë së Forcave të Armatosura, ashtu edhe në funksion të zhvillimit dhe rritjes së vlerës ekonomike të saj.
Në fund thuhet se kriteret dhe procedurat për dhënien e pronës në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, me qira, enfiteozë, përdorim të dyfishtë apo forma të tjera përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. /Pamfleti
Lini një Përgjigje