TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Mars 2025, 17:54

Qendrat e emigrantëve të konvertohen në burgje riatdhesimi, a do e pranojë Rama planin Meloni?

Shkruar nga Pamfleti

Qendrat e emigrantëve të konvertohen në burgje riatdhesimi, a do

Protokolli i nënshkruar nga Giorgia Meloni me kryeministrin shqiptar Edi Rama, parashikon që vetëm një pjesë e vogël e qendrave shqiptare mund të përdoren si CPR, ndaj për t'i konvertuar ato do të duhej të rishikohej protokolli me Shqipërinë dhe ligjin...

Qeveria Meloni ka në plan të ripërcaktojë qendrat bosh të emigrantëve të ngritura në Shqipëri me synim që t’i vërë në funksionim, ndërsa kjo ide ka ndezur polemikat në Itali.

Dy qendrat në Shëngjin dhe Gjadër prej muajsh janë bosh, ndërsa Qeveria Meloni ka propozuar që ato të konvertohen në CPR, ose qendra riatdhesimi.

Por që të arrihet kjo duhet që marrëveshja Rama-Meloni, e ratifikuar nga parlamentet e dy vendeve të ndryshojë. Kjo të paktën sipas opozitës italiane, pasi në Shqipëri nuk ka një qëndrim ende mbi idenë e hedhur.

Sipas opozitës italiane, ajo që mban pezull projektin e rikonvertimit të qendrave është çështja e kostove shtesë dhe ajo e kuadrit rregullator.

“Legjislacioni aktual europian nuk lejon zhvendosjen e një qendre riatdhesimi në një vend të tretë”, shprehet sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein.

Sipas saj, protokolli i nënshkruar nga Giorgia Meloni me kryeministrin shqiptar Edi Rama, parashikon që vetëm një pjesë e vogël e qendrave shqiptare mund të përdoren si CPR, ndaj për t'i konvertuar ato do të duhej të rishikohej protokolli me Shqipërinë dhe ligjin.

“Të thuash që ky konvertim nuk do të kishte kosto më të mëdha është qesharake",  thekson ajo.

Për Schlein tentativa për të konvertuar qendrat në Shqipëri në CPR tregon qartë se modeli shqiptar i Melonit ka dështuar. 

"Qendrat nuk do të funksionojnë. Tani do të vijnë të na thonë se do të përdoren ende për të dërguar njerëz që janë tashmë në Itali, por janë goditur nga një urdhër riatdhesimi", tha Schlein, e cila premton: "ne nuk do të rrimë duke parë se si ata shkelin të drejtat e njeriut dhe hedhin më shumë para për të mbuluar dështimin e qeverisë ".

Gjithçka lindi pasi ministri i Brendshëm i Qeverisë Meloni paralajmëroi se qendrat e pritjes mund të konvertohen në burgje riatdhesimi, ndërsa në to të strehohen ata që kanë humbur të drejtën për të qëndruar në Itali, por vërdallisen në rrugët e qyteteve.

"Nuk është se mund të bëhen, por siç e kam specifikuar tashmë ka një CPR brenda qendrës në Shqipëri. Është çështje vetëm aktivizimi sa më të shpejtë të kësaj strukture", vuri në dukje ninistri i Brendshëm  Matteo Piantedosi, duke siguruar se rikonvertimi nuk do të kërkonte investime të reja.

Dy objektet janë aktualisht bosh, në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, i cili ndoshta nuk do të arrijë para qershorit.

Për të mos lënë të pashfrytëzuara qendrat shqiptare, qeveria planifikon të ndryshojë përdorimin e tyre. Duke u bërë CPR, në thelb, objektet nuk do të strehonin më emigrantë e kapur në ujërat ndërkombëtare, të cilët duhet t'i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare, por emigrantë të parregullt tashmë të pranishëm në territorin italian, të cilët do të çoheshin atje ndërsa prisnin të riatdhesoheshin.

"Qendrat mund të luajnë një rol në forcimin e sistemit për riatdhesimin e emigrantëve të parregullt që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Itali", tha Piantedosi, duke shtuar "në këtë mënyrë ne mund të kthejmë në shtëpi njerëzit që rrezikojnë ti bëjnë qytetet tona më pak të sigurta”. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje