
PE vë në dukje me shqetësim përmasat e migrimit masiv nga Shqipëria, me "të paktën 1.4 milionë njerëz që janë larguar që nga fundi i komunizmit më 1991"...
Parlamenti Europian ka dhënë alarmin për zbrazjen e Shqipërisë. Dje u mbajt Këshilli i Stabilizim-Asociimit dhe fokusi u vendos te raportet PS-PD, por eurodeputetët kanë paraqitur disa amendamente në rezolutën që u miratua në fund të takimit.
Më aktive ka qenë eurodeputeja fraceze, Dominique Bilde, e cila ka kërkuar llogari për disa çështje, ku më e rëndësishmja është ajo e zbrazjes së Shqipërisë. Ajo ka mbështetur ndryshimet në ligjin për të ndaluar largimin e studentëve të mjekësisë, teksa e sheh me shqetësim largimin e “trurit”.
“PE përshëndet përpjekjet e fundit legjislative të Shqipërisë për të frenuar emigracionin masiv të punëtorëve të kualifikuar në fushën e mjekësisë, duke qenë se sipas të dhënave të vitit 2020, Shqipëria ka "numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për frymë në Evropë" dhe shpreh shqetësim në lidhje me ndikimin e lëvizshmërisë akademike mbi "ikjen e trurit" nga Shqipëria”, thuhet në rezolutë.
Më tej, në rezolutë theksohet se që nga viti 1991, nga Shqipëria kanë ikur 1.4 milionë qytetarë. Po sipas saj, gjysma e shqiptarëve duan të largohen.
“PE vë në dukje me shqetësim përmasat e migrimit masiv nga Shqipëria, me "të paktën 1.4 milionë njerëz që janë larguar që nga fundi i komunizmit më 1991" dhe duke parë si "nga popullsia aktuale prej 2.7 milionë, të paktën gjysma duan të largohen për në Evropë, SHBA ose Kanada” dhe shpreh shqetësimin e mëtejshëm në lidhje me ndikimin e marrëveshjes së liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, e cila ka çuar në migrimin e parregullt të shtetasve shqiptarë drejt Francës”, thuhet në amendament.
Po ashtu PE kërkon llogari për paktin me SHBA për të strehuar afganët. Kërkohet që të jepen detaje nëse ka ende emigrantë të mbetur në vend apo janë larguar.
“Rikujtojmë se në gusht 2021, kryeministri shqiptar deklaroi se Shqipëria ishte e gatshme të pranonte nga 2 000 deri në 3 000 shtetas afganë derisa të merrnin një vizë amerikane dhe bën thirrje për qartësi në lidhje me numrin e shtetasve afganë, që janë aktualisht në territorin shqiptar si pjesë e kësaj përpjekjeje bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara, si dhe për çdo refuzim të hyrjes që i është dhënë nga Shtetet e Bashkuara ndonjërit prej shtetasve afganë të përmendur dhe arsyet për rrjedhojë”, thuhet në rezolutë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje