Pas amerikanëve, vihet në lëvizje edhe qeveria gjermane mbi manovrat e dyshimta të bankës austriake...
Nuk kanë fund telashet për Raiffeisen Bank, e cila duket se po ndihmon që ekonomia ruse të mbet në këmbë.
Sipas "Reuters", pas blerjes së aksioneve të kompanisë Strabag është vënë në lëvizje edhe qeveria federale gjermane, e cila po heton rastin duke qenë se si banka austriake ashtu dhe kompania ruse kanë shumë degë aty.
Ekziston një pyetje shqetësuese nëse ky transaksion përputhet me sanksionet strikte të BE-së. Fokusi i vëmendjes është nisma e RBI për të blerë aksione në kompaninë e ndërtimit Strabag përmes degës së saj ruse, një kompani që deri vonë ishte në pronësi të një oligarku rus të sanksionuar. Aksionet kanë kaluar në një kompani me një rol aktualisht të panjohur.
Plani i Raiffeisen Bank për të riatdhesuar të ardhurat e filialit të saj në Rusi, të cilat vlerësohen të jenë në vlerë miliarda euro dhe aktualisht janë të bllokuara, përmes kësaj marrëveshjeje ka ngjallur shumë dyshime te gjermanët. Qeveria gjermane po heton rastin pavarësisht se Johann Strobl, CEO i Raiffeisen Bank International, siguroi gjatë shpalljes së shifrave tremujore, gatishmërinë e tij për të anuluar blerjen e aksioneve nëse qeveria amerikane konstaton diçka të paligjshme.
Çështja po bëhet më kritike pasi Strabag ka filiale të shumta gjermane dhe kështu Ministria Gjermane për Çështjet Ekonomike mund të perceptojë një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe mund të ndërhyjë në marrëveshje, qoftë përmes ndalimit ose duke vendosur kushte për transaksionin.
Teksa, Ministria Federale për Çështjet Ekonomike zakonisht nuk jep informacion në lidhje me raste të tilla, një zëdhënës ripohoi rëndësinë që ka ky rast, për shkak të përfshirjes së Rusisë.
Banka Qendrore Evropiane po bën presion për një reduktim të mëtejshëm të konsiderueshëm të biznesit të kreditit të Raiffeisen në Rusi duke filluar nga mesi i vitit aktual.
Parlamenti Evropian u dërgoi zyrtarëve austriakë një letër në prill, duke u kërkuar atyre të detyrojnë Raiffeisen të ndërpresë aktivitetet e tij në Rusi në përputhje me sanksionet e BE-së.
Letra erdhi vetëm disa ditë pasi Raiffeisen tha se priste që rregullatorët evropianë të kërkonin një përshpejtim të tërheqjes së bankës nga Rusia dhe se ajo do të përmbushte këto kërkesa. Sipas mediave ruse, plani i largimit është vera e këtij viti. /Pamfleti
Lini një Përgjigje