
Pas dëshmisë së ish-ministrit Lefter Koka ditën e sotme, është shtyrë sërish seanca për inceneratorin e Fierit
Burime për mediat bëjnë me dije se seanca e radhës pritet të mbahet me 11 Shtator në orën 11:00. Pritet që edhe 5 të pandehur të paraqesin mbrojtjen.
Gjatë ditës së sotme, realizuan mbrojtjen disa të pandehur, përfshirë ish-ministri Koka, ish-deputeti Bllako dhe Arben Dervishaj.
Këta të fundit janë arrestuar në lidhje me ndërtimin e inceneratorit të Fierit, që sipas prokurorisë kanë kryer shkelje dhe korrupsion.
Ditën e sotme, Koka para gjykatës është shprehur se akuzohet për tre akuza absurde dhe pa fakte.
“Kam menduar se këto akuza nuk do ta kalonin fazën e seancës paraprake. Unë akuzohem për tre akuza totalisht absurde, akuzohen për fakte penale. Nuk e kisha imagjinuar që do dilja para gjykates pasi një përfaqesues i prokurorisë fsheh faktet. Sot dal para jush me dy pretenca me nga 10 vite. Kjo strukturë e posaçme është kalaja e çdo shqiptari për të marrë drejtësi.
Unë hyra në politikë si biznesmen dhe nuk më bëri politika biznesmen. Kjo akuzë është ngritur në formën e tallavasë. Po diskutoja me një nga të pandehurit dhe më tha që prokuroria ka kërkuar për të 4 vite burg, i thashë shyqyr që s’të ka njohur Monika se të kishte bërë grup me Lefter Kokën. Kërkoj drejtësi të pa ndikuar nga politika dhe opinioni në të kundërtën unë do të jem viktima e radhës. Pagesat dhe ndërtimi inceneratorit kanë filluar në 2018 unë jam larguar si ministër më 2017”, tha mes tjerash Koka.
Më herët Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar gjykatës dënimin e të paktën 15 personave të marrë të pandehur, kur për ish-ministrin Koka ka kërkuar dënimin me 10 vjet heqje lirie për akuzën e korrupsioni, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Por për shkak se procesi ndaj tyre është bërë me gjykim të shkurtuar në rast se Koka do të gjenden fajtor dënimi do të jetë 6.8 vite heqje lirie. Ndërsa për ish-deputetin Bllako ka kërkuar dënimin me 7 vite burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënim me 4.8 vite heqje lirie.
Prokuroria ka kërkuar dënim edhe për personat që kanë ndërtuar inceneratorin, siç është Klodian Zoto. Për Zoton, SPAK ka kërkuar 12 vite burg dhe nëse ai do të gjendet fajtor do të vuajë dënimin me 8 vite heqje lirie.
Lini një Përgjigje