TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Shtator 2025, 15:31

Parashikimi i motit për javën: Kthehen vranësirat dhe rrebeshet e shiut

Shkruar nga Pamfleti

Parashikimi i motit për javën: Kthehen vranësirat dhe rrebeshet e

Pas disa ditësh me diell dhe temperatura të larta, Shqipëria dhe rajoni përgatiten për kthimin e reshjeve të shiut dhe vranësirave kalimtare gjatë javës, sipas meteorologut Hakil Osmani.

Osmani tha se rrebeshet e shiut priten fillimisht në zonat veriore dhe veriperëndimore, ndërsa fundjava do të sjellë mot të vranët dhe reshje lokale në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas meteorologut fillimi i javës do të jetë me mot të qëndrueshëm dhe kthjellime, të paktën deri të mërkurën. Por në pjesën e dytë të javës, rritja e lagështisë dhe zhvillimi i vranësirave do të sjellë prezencë të reshjeve, më të dukshme në veri dhe veri-perëndim. Zonat juglindore do të preken më shumë gjatë fundjavës.

Në pjesën e dytë të javës pritet zhvillim i vranësirave dhe një rritje e ndjeshme e lagështisë në ajër, çka do të sjellë prezencë të reshjeve, fillimisht në zonat veriore dhe veriperëndimore,” tha Osmani në një lidhje live për Euronews Albania.


Sa i përket temperaturave, meteorologu tha se fillimi i javës do të sjellë rritje graduale të temperaturave.

Në zonat malore, temperaturat deri të mërkurën do të arrijnë 14–15°C, maksimalet deri në 19°C. Në ultësirën perëndimore, temperaturat e mëngjesit do të shënojnë deri në 21°C, ndërsa përgjatë vijës bregdetare pritet që të luhaten nga 24°C deri në 32°C. Në orët e mesditës, maksimumet mund të arrijnë deri në 36°C në qytete si Tirana, Berati dhe Elbasani. Dita e enjte do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave, kryesisht në mesditë, ndërsa nga e premtja parashikohet rritje sërish, me maksimale deri në 32–33°C”, tha Osmani.

Në rajon, temperaturat do të jenë në rritje në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut: të mërkurën në Kosovë priten deri në 33°C dhe në Maqedoninë e Veriut deri në 35°C, me mot të qëndrueshëm.

E enjtja do të shoqërohet me vranësira dhe reshje në formën e rrebesheve, më të dukshme në Kosovë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut reshjet do të jenë më të pakta. E premtja dhe fundjava do të karakterizohen nga vranësira të shpeshta, sidomos gjatë pasdites,” përfundoi Osmani.

Lini një Përgjigje