Pak orë pas vizitës së ministrit të Brendshëm Taulant Balla në Durrës, është pezulluar nga detyra shefi i policisë kufitare në këtë qytet. Balla në mëngjes pati një mbledhje me policët aty dhe duket se shqetësimi kryesor ka qenë porti, i cili është kthyer në një portë hyrëse për drogën. Duket se dhe kjo i “hoqi kapelën” kreut të policisë kufitare.
Sipas argumenteve të policisë, Kastriot Karafili nuk ka përmbushur detyrat dhe për këtë arsye është larguar nga detyra dhe është pezulluar.
“Shefi i Stacionit është pezulluar nga detyra, për mospërmbushje të detyrave funksionale dhe të përgjegjësive, për mungesë të treguesve të punës në kuadër të luftës për parandalimin dhe goditjen e kontrabandës dhe trafikut të automjeteve.
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për performancë të dobët gjatë kryerjes së detyrës, si dhe për moszbatim të procedurave standarde të punës.
Ndërkohë, nga ana e Policisë së Shtetit kërkohet rritja e nivelit dhe e standardeve për shërbimin ndaj qytetareve dhe rritja e treguesve të punës në luftën ndaj paligjshmërive dhe krimit”, njofton policia.
Lini një Përgjigje