Ndarja nga jeta në moshën 88-vjeçare të gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
Për vdekjen e shkrimtarit shqiptar kanë shkruar mediat franceze, angleze, italiane dhe greke.
'Ismail Kadare: Një dritë e ndritshme në ditët më të errëta të Shqipërisë', është ky titulli i “France 24”.
“Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1960, ai fitoi fillimisht famë si poet përpara se të botonte romanin e tij të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1963, një përrallë tragjikomike që më pas u përkthye në dhjetëra gjuhë të tjera.
Romani i tij i dytë, “Përbindëshi”, për banorët e qytetit që jetojnë në një gjendje të përhershme ankthi dhe paranojë pasi një kalë trojan prej druri shfaqet jashtë qytetit, u ndalua.
Romani i tij i vitit 1977 “Dimri i madh”, edhe pse disi i favorshëm për regjimin, zemëroi besimtarët e Hoxhës, të cilët e konsideruan atë jo mjaftueshëm lavdërues dhe kërkuan ekzekutimin e shkrimtarit “borgjez”. Megjithatë, ndërsa disa shkrimtarë dhe artistë të tjerë u burgosën — apo edhe u vranë — nga qeveria, Kadare u kursye”, thuhet në shkrim.
“Romancieri i njohur shqiptar Ismail Kadare ndërroi jetë të hënën nga një atak në zemër në moshën 88-vjeçare, i tha AFP-së redaktori i tij dhe një spital i Tiranës.
Gazeta franceze “Le Monde” e ka krahasuar kolosin shqiptare me George Orëell dhe Franz Kafkën, i cili përdori metaforën dhe ironinë për të zbuluar natyrën e tiranisë nën Enver Hoxhën, që sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985.
“Vdes në moshën 88-vjeçare romancieri shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare”, ky ishte titulli i Associated Press, duke i kushtuar një artikull shkrimtarit shqiptar, i cili u bë i njohur falë veprave të tij.
“Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë shqipe”, e nis shkrimin “The Guardian”.
“Tregimet e tij alegorike, të informuara nga jeta nën komunizmin shtetëror, tërhoqën vlerësime ndërkombëtare, por ai këmbënguli se nuk ishte një shkrimtar politik. Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar që eksploroi historinë dhe kulturën e Ballkanit në poezi dhe letërsi artistike për më shumë se 60 vjet, ka vdekur në moshën 88-vjeçare”, shkruan prestigjiozja britanike.
Për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare kanë shkruar edhe mediat greke dhe italiane.
“Ka ndërruar jetë shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare”, shkruan Ansa, e cila i ka kushtuar një artikull shkrimtarit, duke përmendur edhe çmimet e tij.
“Ismail Kadare: Vdes shkrimtari shqiptar”, e titullon artikullin Protothema, e cila shkruan: “Shkrimtari më i shquar modern shqiptar, Kadare i cili i rezistoi regjimit të Enver Hoxhës, pësoi një atak në zemër dhe vdiq në moshën 88-vjeçare”.
Lini një Përgjigje