Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shpallur sot tre vendime shkarkimi brenda një dite, duke sinjalizuar një ritëm të ri të procesit të vettingut, që duhet të përfundojë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Vendimi më i rëndësishëm i ditës lidhet me ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e dënuar më herët me katër vite burg për korrupsion pasiv. KPA la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e saj, duke vlerësuar se dënimi penal ka cenuar besimin publik te sistemi i drejtësisë. Procesi ekspozoi gjithashtu mosveprimin e institucioneve të tjera si ILD dhe KLGJ, të cilat nuk kishin ndërmarrë asnjë procedurë disiplinore ndaj saj.
Po sot, KPA rrëzoi vendimin e KPK-së që kishte konfirmuar në detyrë prokuroren e Vlorës, Flora Çela, duke vendosur shkarkimin e saj. Sipas trupës gjykuese, Çela kishte treguar mangësi serioze në hetimin e disa çështjeve të rëndësishme, përfshirë dështimin e hetimit për kapjen e 16 tonë kanabis në vitin 2017. Për këtë rast, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, kishte kërkuar personalisht largimin e saj nga detyra.
Gjithashtu, u konfirmua shkarkimi i prokurorit të Fierit, Hysen Ajasllari, i cili u konsiderua i papërshtatshëm për shkak të problemeve në kriterin e pasurisë.
Lini një Përgjigje