
Moti i keq ka shkaktuar një seri problemesh në disa nga akset rrugore, kryesisht në zonat veriore të vendit, por edhe në juglindje.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) kontraktorët kanë vijuar punën për pastrimin e akseve nga rënia e inerteve dhe gurëve nga skarpatet në disa segmente rrugore.

Probleme kanë paraqitur akset Tropojë-Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Fierzë, Sopot-Kam, Dushaj-Lekbibaj, Kukës-U. Zapotit-Shishtavec, Kukës-Krumë, Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, Skurraj-Peshkopi, si dhe Elbasan-Qafë Thanë, por ARRSH informon se akset janë hapur.

Sipas Autoritetit, vazhdon prezenca e ujit në disa segmente të tjera të rëndësishme, si Laç-Ura e Drojes, Qafë Gjashtë-Shën Vasil dhe Krane-Syri i Kaltër, Tepelenë-Shtëpez.
Në aksin Maliq-Lozhan, në km 13, në zonën e Moglicës, është raportuar rënie gurësh dhe prani inertesh dhe aluvionesh, që shkaktuan bllokimin e rrugës. Menjëherë, informoi ARRSH, është ndërhyrë për pastrimin dhe hapjen e këtij aksi, i cili tashmë është rikthyer në normalitet.

Aktualisht të gjitha akset nacionale janë të hapura për qarkullimin e mjeteve, dhe autoritetet vijojnë monitorimin e situatës.




Lini një Përgjigje