
Deputetja e PL-së Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në zbatim të vendimit të gjykatës.
Ndaj Kryemadhit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kryemadhi duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, çdo të hënë të parë të muajit, në orën 12:00. Kryemadhi do të ankimojë vendimin për sekuestrimin e dy vilave nga SPAK.
Ish- presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë u arrestua me urdhër të SPAK për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.
Nën hetim për të njëjtat akuza është edhe deputetja Monika Kryemadhi, bashkëshorte e Ilir Metës me të cilin ndodhet aktualisht në proces divorci.
Gjykata vendosi masën e “detyrimit për paraqitje” për Kryemadhin; "arrest shtëpie" për ish-zyrtarin Pirro Xhixho, i akuzuar gjithashtu për korrupsion pasiv si dhe masën e "detyrimit për paraqitje" për Ema Çokun, e akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale.
SPAK ka sekuestruar 2 vila në pronësi të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj Fatime Kryemadhi. Pronat ndodhen në rezidencën "Kodra e Diellit" në Tiranë.
Lini një Përgjigje