TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Shtator 2025, 16:46

Liqeni Artificial i “sëmurë”, KLSH zbardh skandalin e ndotjes dhe heshtjes institucionale!

Shkruar nga Pamfleti

Liqeni Artificial i “sëmurë”, KLSH zbardh skandalin e

Askush nuk mban përgjegjësi për ujërat e ndotura që derdhen në liqen, ndërsa qytetarët thithin aromën e kalbëzimit...

Një ndër pasuritë më të çmuara të Tiranës, Liqeni Artificial, është shndërruar në një burim alarmi mjedisor. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë me një raport tronditës për gjendjen e këtij aset natyror, ku ndotja masive, keqmenaxhimi institucional dhe mungesa e koordinimit mes strukturave shtetërore kanë ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të përhershëm ekologjik.

Auditimi i KLSH-së, i zhvilluar për periudhën 2021-2024, evidenton qartë se përkundër alarmit të ngritur nga qytetarët dhe mediat, institucionet kanë reaguar me letërkëmbime të pafrytshme dhe asnjë masë konkrete. Raporti flet për derdhje të ujërave të ndotura urbane, mungesë totale të analizave mikrobiologjike, dhe infrastrukturë të prishur e të paidentifikuar.

Liqeni Artificial i “sëmurë”, KLSH zbardh skandalin e
Foto nga raporti i KLSH

Sipas analizave të kryera, liqeni është “i sëmurë”. Ka përmbajtje të lartë të fosforit, mungesë oksigjeni dhe prezencë të cianobaktereve toksike që rrezikojnë botën e gjallë dhe shëndetin publik. Specialistët theksojnë se ndotja buron nga shkarkime të paligjshme dhe mungesa e filtrimit të ujërave të zeza. Në disa raste, janë evidentuar vatra të ngordhjes masive të peshqve.

Asnjë institucion nuk mban përgjegjësi

Bashkia Tiranë, UKT, APR, AKM dhe IKMT janë ndër institucionet që rezultojnë ose inaktive ose që i hedhin fajin njëra-tjetrës. As Bashkia nuk ka hartë të kanalizimeve, as UKT nuk pranon të kontrollojë, dhe asnjë institucion nuk ka informacion për gropat septike që përdorin bizneset që operojnë në zonë. Inspektimet janë të paplota, ndërsa strukturat e parqeve nuk kanë as kapacitetin e as vullnetin për kontroll real.

10 milionë lekë për pastrimin e plastikës, jo për ndotjen reale

APR ka shpenzuar mbi 10 milion lekë për pastrime mekanike, ndërkohë që nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të frenuar ndotjen kimike apo biologjike. Ironikisht, në dhjetor 2024 janë blerë 10 mijë rasat peshku për të “përmirësuar ekosistemin”, të cilat rezultuan të ngordhura pak ditë më pas, pasojë e mungesës së oksigjenit në ujë.

Ekspertët paralajmërojnë se me rritjen e temperaturave, mungesa e oksigjenit në ujë do të thellohet, duke sjellë përkeqësim të gjendjes dhe zhdukje të gjallesave. Nëse nuk ndërpriten urgjentisht shkarkimet e paligjshme dhe nuk bëhen analiza reale të ndotjes, liqeni mund të bëhet i pashërueshëm.

Gjetjet kryesore

- Në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, është përcaktuar për t’u monitoruar për çdo vit, Liqeni Artificial i Tiranës. Në këtë program përcaktohen gjithashtu treguesit që duhen analizuar (përfshirë treguesit fiziko-kimikë, mikrobiologjikë, pesticidet, metalet e rënda, etj.) si dhe frekuenca përkatëse. Për periudhën objekt auditimi 2021-2024, por edhe përtej kësaj periudhe (minimalisht që nga viti 2015), AKM nuk ka realizuar asnjëherë monitorime vjetore për Liqenin Artificial të Tiranës.

- Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, pavarësisht se ka evidentuar dhe faktuar edhe nga rezultatet e analizave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, se në liqen shkarkohen ujëra të ndotura urbane të patrajtuara (që në muajin tetor 2024), përveç korrespondencave shkresore, nuk ka marrë asnjë masë konkrete për evidentimin e shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave ndaj tyre si dhe zgjidhjen e problematikës. Nga korrespondencat shkresore të iniciuara nga APR ka rezultuar se AKUK nuk kanë kthyer përgjigje, ndërsa UKT sh.a nuk është përgjigjur konkretisht kërkesave të adresuara nga APR. Pra, bashkëpunimi ndërinstitucional nuk ka funksionuar, komunikimet mes institucioneve janë kufizuar në korrespondencë zyrtare, duke ndikuar drejtpërdrejtë në zvarritjen e problematikës dhe moszgjidhjen e situatës.

Liqeni Artificial i “sëmurë”, KLSH zbardh skandalin e
Foto nga raporti i KLSH

- Nga analizat e kryera nga AKM dhe interpretimi i tyre, ka rezultuar se në trupin ujor të Liqenit Artificial të Tiranës ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane. APR ka përcaktuar disa pika shkarkimi të mundshme, në të cilat AKM ka vijuar me kryerjen e analizave përkatëse. Pas rezultatit të këtyre analizave AKM ia ka deleguar ARM Tiranës ndjekjen e hapave të mëtejshme për kryerjen e inspektimeve në terren. ARM Tirana ka iniciuar inspektimin dhe e ka përmbyllur duke arsyetuar se subjektet në territorin e PMLAT nuk kanë leje mjedisore dhe rrjedhimisht nuk janë objekt i inspektimit të saj bazuar në fushëveprimin e saj. Pikat e evidentuara nga APR dhe AKM janë pikat shkarkimi të kanalizimeve të ujërave të bardha, që lidhen me pjesën e kodrave të Liqenit dhe “Liqenit të Thatë”, rrjedhimisht këto shkarkime në pikat e identifikuara vijnë nëpërmjet rrjetit të kanalizimeve dhe nuk janë gjeneruar nga subjekte që operojnë në territorin e PMLAT. Për sa më sipër, grupi i auditimit ka kërkuar informacion mbi subjektet që janë identifikuar, për të cilat ARM ka konkluduar se nuk disponojnë leje mjedisore dhe nga AKM e ARM Tirana nuk është kthyer përgjigje.

Nga verifikimi i kryer në terren nga grupi i auditimit u evidentuan se përpos shtatë pikave që janë identifikuar nga APR dhe marrë mostra për analizë nga AKM, ka dhe 3 pika të tjera të kanaleve të ujërave të shiut që derdhen në liqen, të cilat ishin të dëmtuara, të bllokuara ose që kishin derdhje të ujërave të përdorura. Për këto pika nuk rezulton të jenë marrë mostra dhe të jenë kryer inspektime. Për sa më sipër, pavarësisht se kemi pasur të bëjmë me një situatë kritike mjedisore, inspektimi i kryer nga ARM Tirana nuk ka qenë i plotë, si dhe nga ana e institucioneve nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për identifikimin e ndotësve, për të vlerësuar nëse ka edhe subjekte që disponojnë leje mjedisore, për të vijuar më tej me marrjen e masave për eliminimin e shkarkimeve të ujërave të patrajtuar/ të ndotur (urbane/ industriale, etj.) drejtpërdrejt në liqen.

- Referuar te dhënave te vëna në dispozicion, zona brenda Parkut të Madh të Liqenit Artificial nuk mbulohet nga rrjet kanalizimesh për ujërat e ndotura urbane. Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë nuk kanë asnjë informacion, si dhe nuk kanë kryer asnjë verifikim në terren, mbi metodat e trajtimit individual të ujërave të ndotura nga subjektet që operojnë brenda territorit të PMLAT.

Institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë (APR, UKT Sh.a, etj.) nuk kanë informacion mbi gropat septike të subjekteve që ndodhen në territorin e PMLAT, mbi vendndodhjen e tyre apo mbi menaxhimin/pastrimin e tyre, në mospërputhje me funksionet e bashkisë të përcaktuar në Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, neni 23, pika 2 “Në fushën e  infrastrukturës dhe shërbimeve publike, bashkitë janë përgjegjëse në territorin e juridiksionit të tyre për mbledhjen, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura”, gjithashtu nuk ka një numër të saktë të subjekteve që operojnë në këtë territor.

- Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit nuk ka një strukturë në Drejtorinë e Administrimit të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, për të garantuar përmbushjen e funksioneve kontrolluese, inspektuese, evidentuese të veprimtarive të jashtëligjshme, sipas përcaktimit në rregulloren e brendshme të saj. Si pasojë, nuk është evidentuar asnjë problematikë mjedisore ndër vite mbi shkaqe të mundshme të ndotjes së ujit të liqenit dhe nuk është kërkuar asnjëherë kryerja e analizave specifike për të vlerësuar gjendjen mjedisore të liqenit, përpara shfaqjes në sipërfaqe të ndotjes dhe marrjes së vëmendjes mediatike të problematikës së shfaqur. /Pamfleti

Lini një Përgjigje