TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Prill 2025, 17:44

Kritikoi mjekët, Edvin Prifti i “përvishet” Baton Haxhiut: Mosmirënjohës, mos bëj të gjithëditurin!

Shkruar nga Pamfleti

Kritikoi mjekët, Edvin Prifti i “përvishet” Baton Haxhiut:

Mjeku Edvin Prifti është përplasur në distancë me gazetarin Baton Haxhiu, i cili sa herë del nëpër media lëshon ndonjë mufkë.

Haxhiu deklaroi dje në një studio se në Shqipëri nuk ka mjekë të mirë dhe kjo ka irrituar Priftin, i cili ka reaguar gjerë e gjatë në rrjetet sociale.

Haxhiu pretendoi në emision se godinat e shëndetësisë janë bërë të gjitha të reja, edhe pse cilësia e mjekëve shqiptarë lë për të dëshiruar.

Ai u kundërshtua nga analisti Armand Shkullaku, por Haxhiu i qëndroi idesë së tij për cilësinë e mjekësisë shqiptare.

Postimi i plotë  i Priftit:

Filozofi i madh Karl Popper dikur shkruante se:

“Injoranca e vërtetë nuk është mungesa e dijes, por refuzimi për ta fituar atë.”

M’u kujtua kjo shprehje teksa dëgjoja se si z. Baton Haxhiu deklaronte, me qetësinë e absurditetit të modelit të Popper-it, se problemi i shëndetësisë shqiptare është paaftësia e mjekëve shqiptarë, në një emision në Syri.tv. Me siguri, duke ditur që z. Haxhiu përfaqëson një rrymë të caktuar, besoj që nuk flet vetëm në emrin e tij, por edhe në atë çka ai përfaqëson?!

Kur i thanë që kjo s’është e vërtetë, zotëria “gjithëditur” në fjalë kërkoi emra — dhe rastësisht u përmend emri im. Pas disa grimasave transhumaniste, tha që nuk ka pse të merrej me emra të përveçëm, kur vetë i kërkoi ato. Gjithsesi, jam i sigurt që do fliste për SPAK e gjëra të tjera, kur të përmendte emrin tim – histori e njohur e mendimit të dobët!

E kam njohur z. Baton Haxhiu kur më ftoi për drekë në një restorant në Tiranë, në vitin 2009, për të ndihmuar një mikun e tij maqedonas, mjek kardiolog, dr. Petrovsky, i cili kishte hapur një spital privat në Prishtinë, për të cilin nuk ishte e mundur që unë ta ndihmoja. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit, por mjafton kaq që një njeri të mos bëjë grimasa kur përmendet emri i tjetrit, për të mos treguar mungesë të thellë karakteri?!

E dyta, mjekët shqiptarë, z. Haxhiu, me të mirat dhe defektet e tyre – sigurisht ka mes tyre edhe ndonjë që çfarë nuk kanë thënë edhe ndaj meje – por të gjithë ata, pavarësisht gjithçkaje, kanë trajtuar me dhjetëra mijëra pacientë kosovarë. Dhe unë personalisht ua njoh meritat të gjithëve, edhe kur i dua, edhe kur nuk i dua! Ashtu siç mendoj se njeriu i ditur fal, por nuk harron! Gjithsesi, ju harruat mirënjohjen?!

E treta, janë këta mjekë shqiptarë të Tiranës që kanë trajnuar me qindra mjekë kosovarë ndër dekada. Ju përsëri harruat mirënjohjen!

Par définition: Mosmirënjohja është defekti më i madh i karakterit të kujtdo!

E katërta, ka mjekë dhe profesorë shqiptarë që kanë licencat e ushtrimit të profesionit jo vetëm në Komunitetin Europian dhe Amerikën e Veriut – dhe këtu nuk flas vetëm për veten – ka mjekë dhe profesorë shqiptarë që kanë një indeks të tillë shkencor, si Hirsch Index, që do ta kishin zili edhe në Europë – dhe përsëri, këtu nuk fus vetëm veten time. Ka mjekë dhe profesorë shqiptarë që kanë prodhuar teknika dhe ide të reja, të aprovuara në Europë dhe SHBA – dhe përsëri, nuk flas vetëm për veten time. Ka mjekë dhe profesorë shqiptarë që janë nderuar me çmime shkencore dhe botërore që ju as mund t’i imagjinoni, ashtu siç nuk i imagjinon ndonjë “mjekuç” që ju shkruan!

Unë nuk ia lejoj vetes të flas për gjëra për të cilat nuk jam kompetent, por tek ju ky parim është harruar. Në gjithëditurinë tuaj, ju kujtoj të jeni pak iluminar, që të mos debatoni për shkencën, dijen, akademizmin dhe mjekësinë – pasi dëmtoni shumë padronët tuaj, dhe nuk do t’jua falin këtë dëm. Merreni si një këshillë pozitive.

Sigurisht që pas kësaj e keni opsionin të më fyeni, të më kujtoni SPAK-un apo çfarë tjetër, por unë nuk mund të qëndroja në heshtje, kur fyeni pa të keq mjekët shqiptarë – edhe pse ata mbartin atë bukuri apo shëmtim që mbart ky popull, nga i cili edhe ju vini!

Gjithçka mund të toleroja nga injoranca, kur ulëret për mjekësinë, por jo nga ju!

Mbase për ju dhe për rastin konkret vlen shprehja e Goethe-s:

“Njeriu sheh në botë atë çka mbart në zemrën e vet.”

Lini një Përgjigje