TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi16 Nëntor 2023, 10:54

Komisioni i Ekonomisë miraton online në parim projekt buxhetin 2024, opozita u përfaqësua nga Edmond Spaho

Shkruar nga Pamfleti

Komisioni i Ekonomisë miraton online në parim projekt buxhetin 2024,

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim për 22 minuta, projektbuxhetin e vitit 2024, me 10 vota pro, dhe një votë kundër që ishte ajo e Edmond Spahos i cili ishte i vetmi nga opozita që mori pjesë në komision.

Megjithatë, pavarësisht se e votuan në parim, vetë socialistët propozuan disa ndryshime para se ligji më i rëndësishëm i shtetit të miratohet nen për nen, duke filluar me taksën e karbonit.

“Nga diskutimet e deritanishme, unë të paktën nuk jam i bindur për ndërhyrjen te taksa e karbonit e cila bie ndesh edhe me direktivat e Bashkimit Europian. Ka nevojë për rishikime”, tha Eduard Shalsi.

“Disa bashki kanë dërguar kërkesa pasi vlerësojnë si të nevojshme rishikimin e transfertës së pakushtëzuar”, deklaroi deputetja Dhima.

Duke mbështetur propozimet e Erion Braçes, ndryshime në paktën fiskale kërkoi edhe deputetja e Partisë Socialiste Pranvera Resulaj.

“Paketa Fiskale duhet të përmbajë heqjen e TVSH për mjetet higjenike të grave dhe lehtësi të tjera për to”, tha Resulaj.

Megjithëse vetëm 22 minuta, me praninë nga opozita vetëm të Edmond Spahos i cili zgjodhi të mos fliste fare, por vetëm të votonte kundër, socialistëve iu doli koha për të uruar njëri-tjetrin edhe për arritje në rrafshet personale.

Në një seancë të ngjashme në format, por që zgjati rreth 60 minuta, teksa deputetët e opozitës kapërcenin kangjellat e portës e parvazet e dritareve pasi garda u kishte mbyllur derën, socialistëve në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave miratuan të gjitha ndryshimet fiskale për vitin e ardhshëm.

Gjatë vitit 2024, pushteti vendor do të përfitojë në total rreth 36.5 miliard lekë në formën e transfertave, nga të cilat rreth 24.3 miliardë lekë ose 66% është transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme dhe 10.7 miliardë lekë ose 29% është në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor dhe 1.5 miliardë lekë ose 5% në formën e transfertës sektoriale për rritjen e pagave.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë ose 3% e PBB-së. Buxheti vendor për vitin 2024 krahasuar me buxhetin vendor 2023, parashikohet me një rritje me rreth 6.7 miliard lekë.

Në këtë zë është përllogaritur transferta e pakushtëzuar e përgjithshme për njësitë e vetëqeverisjes vendore, financimi i funksioneve të reja, financimi i shtesës për të mbuluar një pjesë të efektit financiar të rritjes së pagave si dhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore.

komisioni i ekonomisë projektbuxheti

Lini një Përgjigje