Braçe kundërshtoi fort përfshirjen e drejtuesve FSHF e KOKSH në këshillin që do të shpërndajë fondet e posaçme për sportin.
Komisioni i Ekonomisë miratoi projektligjin që i hap rrugë rikthimit të basteve sporteve sportive online, pavarësisht debateve brenda socialistëve dhe abstenimit të deputetit Erion Braçe.
Gjatë diskutimeve, Braçe kundërshtoi normën e tatim fitimit 15% të vendosur për kompanitë që do të operojnë në këtë fushë, duke e konsideruar atë si shumë të ulët. Por kryetari Eduard Shalsi argumentoi se në vijim do të ketë rishikime të tjera të ligjit.
“Ne sot kompanive të naftës u marrim 50% tatim fitimi. Si mundet këta që do të mbajnë një sistem atje matanë e që do të arkëtojnë para nga telefoni, do të tatohen 15%. Si ka mundësi që neve na shkon tatimi 23%… epo prit o burrë se ka një çikë…”, tha deputeti i PS Erion Braçe.
“E dimë që nuk është shumë e mirë, por është një hap cilësor për të kuptuar sistemin dhe definimin e çfasrë ligji të ri do të bëjmë. Nuk do të sjellë një revolucionarizim të sektorit të lojërave të fatit”, deklaroi kryetari i komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi.
Një tjetër propozim i Braçes që u rrëzua nga kolegët socialistë ishte ai për të vendosur një tavan për shumën që do të luhet në baste sportive online dhe për të tatuar edhe lojtarët fitues.
Braçe kundërshtoi fort përfshirjen e drejtuesve FSHF e KOKSH në këshillin që do të shpërndajë fondet e posaçme për sportin.
"Tani, këta kur nuk i ndalon për të vënë baste, këta nuk mund të jenë këtu dhe nuk kanë lidhje fare në këtë pjesë, është punë e qeverisë dhe nuk duhet të jenë kurrë në një komunitet qeveritar. Janë klientë njësoj siç do të jenë klientë për projekte, edhe federatat e tjera. Gara e tyre vihet në baste, nga bastet arkëtohen para, që i marrin këta dhe i shpërndajnë për gjëra të tjera", tha Braçe.
Teksa ripërsëriti qëndrimet për një kontroll më të fortë të kompanive të licencuara për të dekriminalizuar tërësisht sektorin, Braçe e quajti themelore që në këtë proces të përfshihet SPAK.
“Është themelore që një organ i specializuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit të jetë këtu në ligj si një institucion që jep një nga miratimet edhe ai. Ka ca procese hetimore edhe tani që kanë dalë nga këto hetimet e SPAK, ka emra dhe individë që janë marrë me lojërat e fatit deri para se ne t’i mbyllim”, u shpreh Braçe.
Projektligji pritet të miratohet të enjten në seancë plenare dhe pasi të marrë votat pro, hyn në fuqi 15 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare.
Lini një Përgjigje