TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Dhjetor 2025, 07:57

Kërkoi të dëshmonte për “21 janarin”, Ilir Meta merret sot në pyetje nga SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Kërkoi të dëshmonte për “21 janarin”, Ilir Meta
Ish-presidenti Ilir Meta

Ish-presidenti Ilir Meta pritet të paraqitet sot në orën 10:00 në SPAK, ku do të japë dëshminë e tij lidhur me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011. Gjatë protestës së opozitës së asaj kohe, përpara godinës së Kryeministrisë, mbetën të vrarë katër protestues.

Meta i është drejtuar vetë SPAK-ut me kërkesë për t’u thirrur dhe për të dhënë shpjegime mbi këtë çështje, duke deklaruar se, për shkak të funksioneve që ka mbajtur ndër vite, disponon informacione që mund të ndihmojnë hetimin. Në kuadër të kësaj dosjeje, SPAK ka marrë më herët dëshmitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-presidentit Bamir Topi, si edhe të disa zyrtarëve të tjerë.

21 Janari

Ngjarjet e 21 janarit lidhen me protestën e zhvilluar përpara Kryeministrisë, gjatë së cilës u vranë protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, të cilët u qëlluan për vdekje nga Garda e Republikës.

Kjo protestë shpërtheu pas publikimit të një videoje komprometuese që përfshinte zv.kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta dhe ish-ministrin Dritan Prifti.

Në regjistrimin filmik, me një kohëzgjatje rreth 12 minuta, shfaqej një bisedë mes Metës dhe Priftit, ku flitej për një marrëveshje financiare prej 700 mijë eurosh, e lidhur me dhënien e koncesioneve dhe licencave për një hidrocentral. Publikimi i kësaj videoje shkaktoi reagime të forta publike dhe politike, duke kulmuar me protestën tragjike të 21 janarit.

Hetimi për këtë çështje u rihap nga SPAK në korrik të vitit të kaluar, pas regjistrimit të procedimit penal për disa vepra të rënda, përfshirë vrasjen në rrethana cilësuese, të kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorimin e detyrës dhe pengimin e drejtësisë.

Deri tani, në kuadër të këtij hetimi janë thirrur për t’u marrë në pyetje disa nga figurat kryesore të asaj periudhe. Mes tyre janë ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu, vetëm pak ditë më parë, në SPAK ka dëshmuar edhe ish-presidenti Bamir Topi.

Ngjarjet e 21 janarit 2011 përbëjnë një nga episodet më të rënda në historinë e tranzicionit politik shqiptar, ku përplasja mes protestuesve dhe forcave të rendit përfundoi me katër viktima. Çështja ka kaluar ndër vite nëpër disa faza hetimi dhe gjykimi, ndërsa me krijimin e SPAK-ut ajo është rihapur si pjesë e hetimeve për krime të dyshuara.

spak 21 janari ilir meta

Lini një Përgjigje