SPAK ka kërkuar aprovim nga Parlamenti për t’i ashpërsuar masën e sigurisë Sali Berishës nga “detyrim paraqitjeje” në “arrest në shtëpi” ose “arrest në burg”.
Dhe, kjo “paqartësi” nga ana e SPAK, për analistin Ben Andoni është e qëllimshme.
I ftuar në A2 CNN mbrëmjen e së enjtes, Andoni thotë se duke i njohur shumë mirë “kleçkat juridike”, kreu i Rithemelimit do të mund të arrijë të “shpëtojë” edhe nga kjo pengesë e radhës.
“SPAK, me gjithë barrën e madhe që ka mbi vete, bën një politikë brenda politikës. Kur shprehet titullari dhe shpjegon objektiva, kemi politikë... të njëjtin fat e pret edhe zotin Rama më pas.”
Për Andonin, Shqipëria është eksperiment sa i përket reformës në drejtësi dhe nuk mund të presim që të kemi një Drejtësi në lartësinë e duhur kur tre pushtetet e tjera vijojnë të mos i arrijnë këto lartësi të synuara.
Ndërkohë, kujtojmë se Kryesia e PD-së së Rithemelimit vendosi sot që të afrojë aksionin e mosbindjes civile të njoftuar për në janar.
Këtë mbrëmje u morr vendimi për dy protesta që do të mbahen javën e ardhshme. Të hënën kur në mesditë do të mblidhet Këshilli i Mandateve për kërkesën e SPAK për arrestimin e Sali Berishës dhe të enjten që vjen, kur është seanca e fundit e parlamentit për këtë vit, e kur pritet që edhe mund të votohet heqja e imunitetit të Berishës.
Lini një Përgjigje