TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Gusht 2023, 23:13

Kërcasin prangat për koncesionet në shëndetësi, ndalohet nga policia biznesmeni që mori “sterilizimin”

Shkruar nga Pamfleti
Kërcasin prangat për koncesionet në shëndetësi,
Rama me Ilir Rrapajn dhe Beqaj duke dalë nga SPAK

Kërcasin prangat për koncesionet në shëndetësi. Prej vitesh SPAK po heton tenderët e Check-up, hemodializës dhe sterilizimit, ndërsa sot janë dhënë sinjale se rrethi po ngushtohet.

Mësohet se kreu i kompanisë që ka marrë tenderin e sterilizimit është ndaluar sot nga policia.

Biznesmeni Ilir Rrapaj është ndaluar nga policia në jug  te vendit pak minuta më parë dhe është shoqëruar nga autoritetet e policisë. SPAK kishte bërë një njoftim në kufi që Rrapaj të shoqërohej për t’u marrë në pyetje nëse paraqitej në hyrje apo dalje të pikave kufitare.

Sipas burimeve, Rrapaj po shoqërohet në drejtim të SPAK për të dhënë shpjegime për hetimin për koncesionin e sterilizimit. Por ndalimi i tij është një kambanë alarmi për ish-ministrin Ilir Beqaj. Ky i fundit është thirrur disa herë nga SPAK dhe duket se dosjet tani janë kopsitur dhe prite të ketë një valë të gjerë arrestimesh.

Për më shumë se një dekadë, Ilir Rrapaj drejtoi një kompani të vogël ndërtimi me vetëm një të punësuar, të regjistruar në një zonë të qetë rezidenciale në qytetin e Peruxhias të rajonit Umbria në Itali, të cilën e themeloi së bashku me dy të afërm të tij në vitin 2000 me një kapital të vogël prej 1500 eurosh.

Megjithatë, pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, emigranti me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri dhe vendosi kontakte me kreun e shëndetësisë shqiptare, Ilir Beqaj, me të cilin ka pasur takime të shpeshta ku kanë marrë pjesë edhe biznesmenë italianë, të interesuar në tregun e shërbimeve mjekësore.

Kërcasin prangat për koncesionet në shëndetësi,
Ilir Rrapaj gjatë nje takimi të ministrit Ilir Beqaj me ambasadorin Italian në Tiranë

Dy vjet pas rikthimit në atdhe, me anë të një kompanie të regjistruar në Kosovë, Rrapaj është shpallur fituesi kryesor i një kontrate koncesionare prej 100 milionë dollarësh në një tender të kontestuar.

Nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, e cila ka një kapital prej 1000 eurosh dhe është e regjistruar në Prishtinë, Rrapaj zotëron 40 % të aksioneve të një bashkimi kompanish italiane, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Ortakët e Rrapajt në konsorcium janë tre kompani nga rajoni i Umbrias, përfshirë “Servizi Italia”, e cila ka një eksperiencë 35-40 vjeçare në fushën e sterilizimit dhe mbetjeve spitalore, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj.

Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat kishte për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.

Lini një Përgjigje