TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Tetor 2023, 12:39

Dhuna ndaj Gjergj Zefit, Luçiano Boçi: Pas çdo sulmi ndaj gazetarëve të lirë qëndron pushteti

Shkruar nga Pamfleti
Dhuna ndaj Gjergj Zefit, Luçiano Boçi: Pas çdo sulmi ndaj

Luçiano Boçi ka reaguar ashpër pas sulmit kriminal ndaj editorit të “Pamfleti”, Gjergj Zefi.

Boçi shkruan se ky është një akt ndaj lirisë së zërave mediatikë për shkak të raportit me të vërtetën. Duke rikujtuar disa raste të dhunës apo formave të tjera të intimidimit të gazetarëve, Boçi tha se liria e medias është marrë në bodrumet kryeministrore.

Këto zëra që përçojnë vetëm të vërtetën nëse nuk dalin nga linja dhe nëse nuk joshen, përçmohen publikisht ose goditen me leva, me aksidente dhe me lloj-lloj incidentesh të tjera.

Ai shprehet se trajektorja e pushtetit dhe të veglave të tij në sulmet që kryen ndaj medias së lirë, i bën me qëllim kontrollimin e saj dhe mbytjen e së vërtetës, të cilat kanë qenë të vazhdueshme gjatë këtyre 10 viteve.

Reagimi i plotë i Luçiano Boçit:

BANDITIZËM NDAJ MEDIAS

Goditja e gazetarit Gjergj Zefi pason aktet e disata të ekzekutuara ndaj gazetarëve dhe ndaj lirisë së medias.

Më i saktë do të ishte termi “liri e disa zërave mediatikë”, pasi fatkeqësisht liria e medias sot është e marrë peng në bodrumet kryeministrore, në “ministrinë” e atjeshme de fakto “të propagandës”.

Zërat që dalin nga linja nëse nuk joshen intimidohen, përçmohen publikisht ose goditen me leva, me aksidente, me incidente e lloj-lloj “artesh”.

Banditizmi sundon kudo dhe dhuna ndaj së vërtetës bën ligjin.

Të gjithë e dinë se pas çdo sulmi ndaj gazetarëve të lirë është pushteti.

Gishti drejtohet tek frymëzuesi i dhunës: Kryeministri.

Rasti i Gjergj Zefit ndjek dhjetëra rastet e tjera të goditjes së zërave të lirë të medias, për shkak të raportit me të vërtetën.

Pamjet brutale të shembjes së Prestige resort për të detyruar grupin mediatik të kthehej në vasal të pushtetit janë ende të freskëta.

Levat ndaj Elvi Fundos akoma dhembin.

Trajektorja e pushtetit dhe të veglave të tij në sulmet e tij, ndaj medias së lirë me qëllim kontrollimin e saj dhe mbytjen e së vërtetës, kanë qenë solide dhe të vazhdueshme gjatë këtyre 10 viteve.

Lista është e gjatë:

Para këtyre Telnis Skuqit qe zbuloi trafikun e drogës në Gjirokastër, Rama i çoi dhuratë si mesazh nëpërmjet shefit të policisë, kokën e dashit të therur.

Gert Xhajën e degdisën larg vendit për shkak të denoncimeve

Alida Totën e larguan me urdhër politik si redaktore.

Gazetarëve të Publikus i anuluan emisionin se ata zbuluan vrasjen e Ardit Gjoklajt.

E me pas rastet e Syri net, rastet e Anila Hoxhës, Klodiana Lalës, Ronaldo Sharkës, Ergys Gjencajt, Fjona Çelës, Isa Myzyrajt, Besarta Demushajt, por dhe të Ambrozia Metës e Klevin Mukës, dëshmojnë agresivitetin e vazhdueshëm të Ramës e pushtetit të tij për të sulmuar median e gazetarët kritikë të qeverisë.

Sot media do mbështetje, solidaritet dhe frymëzim për të shpërndarë të vërtetën.

Gjergji, Elvi, Ambrozia, Klodiana e shumë të tjerë duhen inkurajuar e mbështetur.

E VERTETA rrëzon REGJIME!

luciano boci gjergj zefi reagim

Lini një Përgjigje