
Reshjet e dendura të shiut dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit, duke i afruar ato pranë kuotave maksimale të lejuara. Për pasojë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka nisur shkarkimet e kontrolluara të ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës.
Në hidrocentralin e Vaut të Dejës është vënë në funksion vetëm një turbinë, e cila po shkarkon rreth 500 metër kub ujë për sekondë, me qëllim menaxhimin e prurjeve dhe ruajtjen e sigurisë së digës.
Ndërkohë, situata paraqitet e ngarkuar edhe në hidrocentralin e Komanit, ku niveli i ujit ka shënuar rritje të vazhdueshme. Për të përballuar këtë situatë, kanë nisur shkarkimet përmes dy portave, në mënyrë që të shmanget tejkalimi i kuotave të sigurisë dhe të garantohet funksionimi normal i veprës energjetike.
Sipas burimeve zyrtare, shkarkimet aktuale janë diktuar kryesisht nga prurjet anësore, ndërsa lumi Valbona po sjell sasi të konsiderueshme uji në sistemin e kaskadës së Drinit, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e niveleve në rezervuarë.
Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në vend, ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar. Sipas KESH-it, Fierza po operon në parametra të kontrolluar dhe nuk paraqet rrezik për momentin.
Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë kaskadën e Drinit, me synim garantimin e sigurisë së veprave energjetike, si dhe mbrojtjen e zonave përreth nga çdo rrezik i mundshëm përmbytjeje.
Lini një Përgjigje