TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Prill 2023, 15:22

Hapja e “Dosjes Tropoja”/ Si u eliminuan djemtë e familjes Haklaj, akuzat ndaj Berishës dhe prova e madhe e SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Hapja e “Dosjes Tropoja”/ Si u eliminuan djemtë e familjes
Ajshe Haklaj dhe Sali Berisha

Pikënisja e vrasjeve me paramendim për motive hakmarrje, krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, e kanë zanafillën e vetë pas vrasjes tragjike të Shkëlqim Haklajt me urdhrin e prerë dhe të drejtpërdrejtë të Sali Berishës...

Prokuroria e Posaçme duket se është para provës së madhe. Dosjet ndaj Sali Berishës sa vijnë dhe shtohen dhe ajo që mund të cilësohet si dosja më përvëluese është “Dosja Tropoja”. Sali Berisha është akuzuar shpesh si personi që masakroi djemtë e familjes Haklaj dhe tani ka ardhur ora e së vërtetës. Në SPAK është bërë një padi penale nga Muharrem Haklaj dhe Zylfie Haklaj, ndaj Sali Berishës dhe 14 personave të tjerë. Padia u dorëzua më 7 nëntor 2022, po sot SPAK e ka hapur dosjen dhe mori në pyetje vajzën e familjes Haklaj, Ajshe Haklaj. Ajo ka dëshmuar mbi këtë padi dhe akuzat që ka ngritur ndaj Sali Berishës. Sipas padisë, Berisha akuzohet për vrasjen e Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj.

Personat e paditur nga Haklajt janë: Sali Berisha; Përparim Hyka; Myftar Lumneshi; Hajredin Haluci; Haki Adem Hoxha; Tahir Sejd Hoxha; Iljaz Adem Hoxha; Ilir Adem Hoxha; Selim Sejd Hoxha; Agim Sejd Hoxha; Çut Sylejman Neza; Sadri Sylejman Neza, Xhafer Baram Hoxha; Medi Baram Hoxha dhe Guxim Qazim Byberi.

Referuar kallëzimit penal, kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve, për kryerjen e veprave penale të: “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga Neni 78/2 i Kodit Penal; “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, parashikuar nga neni 333 i Kodit Penal (Viti 1995); “Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal (1995); “Aktet terroriste”, parashikuar nga neni 230 i Kodit Penal.

Hapja e “Dosjes Tropoja”/ Si u eliminuan djemtë e familjes
Djemtë e familjes Haklaj

Nisja e vrasjeve

Vrasjet në seri të ndodhura në Tropojë e kanë zanafillën në gusht të vitit 1993. Më 7 gusht të vitit 1993, në një pelegrinazh në vendin e quajtur "Varri i Shkëlzenit", në malin me të njëjtin emër, Hamdi Haklaj ka vrarë vëllezërit Guxim e Besim Demaj nga Shipshani i këtij rrethi. Vrasja kishte ndodhur pas një grindjeje të Shkëlqim Haklajt i vrarë më vonë dhe mes viktimës Besim Dema. Dy viktimat, Guxim Dema e Besim Dema, motra e tyre dhe 3 djemtë e xhaxhallarëve kanë qenë duke ngrëne drekë, pas përfundimit të pelegrinazhit kur ka ndodhur grindja. Sipas dëshmitarëve, Shkëlqim Haklaj ishte afruar te pjesëtarët e familjes “Dema” dhe i kishte shqetësuar ata. Besim Dema, ka ndërhyrë dhe zëniet me fjalë janë pasuar me përleshje fizike me Shkëlqim Haklajn. Në këtë moment, ka ndërhyrë Hamdi Haklaj duke qëlluar me pistoletë Besim Demajn dhe vëllanë e tij, Guxim Demajn. Të dy gjetën vdekjen. Autori i kësaj vrasjeje, Hamdi Haklaj është larguar nga vendi i ngjarjes, duke qendruar i fshehur në male. Për kapjen e tij u angazhuan 130 forca speciale dhe 4 helikopterë të policisë shqiptare, të cilët kanë shkëmbyer zjarr me autorin e vrasjes Hamdi Haklaj, por pa arritur ta kapnin.

Hapja e “Dosjes Tropoja”/ Si u eliminuan djemtë e familjes
Padia e familjes Haklaj

Padia në SPAK

Në padinë që Haklajt kanë dorëzuar në SPAK, kanë treguar me kronologji të gjitha vrasjet dhe personat e tyre të përfshirë. Më poshtë padia e tyre;

Pikënisja e vrasjeve me paramendim për motive hakmarrjeje, krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, e kanë zanafillën e vetë pas vrasjes tragjike të Shkëlqim Haklajt me urdhrin e prerë dhe të drejtpërdrejtë të Sali Berishës. Vlen për t’u theksuar që në vrasjen e Shkëlqim Haklajt më 5 janar 1998 dhe në vrasjen e Fatmir Haklaj më 4 nëntor 1999, provohet shkencërisht se; nga autorët e organizatës kriminale është përdorur e njëjta armë zjarri automatik kallashnikov. Kjo tregon se organizata kriminale ka pasur pjesëmarrje të gjerë dhe ka vepruar në një periudhë disa vjeçare. Në datën 19 qershor 1997, Sali Berisha që ishte ende President i Republikës, i shoqëruar nga eskorta dhe mbështetësit e tij, shkuan në Tropojë për të bërë fushatë elektorale. Në miting, Sali Berisha ka akuzuar ish-kandidatin për deputet të PS-së, Din Selimaj si “të shitur të Beogradit”, si të lidhur me UDB-në e Serbisë etj! Viktima e vrarë Shkëlqim Haklaj, shkoi në podium, i shkuli mjetet e fonisë Sali Berishës dhe e akuzoi atë si njeri të mbrapshtë dhe të pandreqshëm, duke i thënë gjithashtu se të qenurit vet agjent i vjetër i UDB-së, kërkon t’ua veshë familjeve atdhetare të Tropojës.

Sali Berisha pasi pyeti dhe i thanë që personi që bëri këtë veprim ishte një nga vëllezërit “Haklaj”, djali i Muharrem Haklajt u tha truprojave të tij si dhe mbështetësve të tij, Myftar Lumneshi, Përparim Hyka, Haki Hoxha etj, që “E dua të gjallë ose të vdekur Shkëlqim Haklajn në Tiranë”. Tagrin për të urdhëruar shoqërimin, arrestimin apo transferimin e një personi e kanë vetëm organet e Policisë së Shtetit dhe të drejtësisë, bazuar në prova dhe fakte, që konfirmojnë kryerjen e një vepre penale. Ndaj, urdhri i Berishës për të ‘marrë me vete’ Shkëlqim Haklajn është urdhër për rrëmbim. Në trazirat e vitit 1997, me shpërbërjen e Komisariatit të Policisë së Tropojës, ‘Komiteti i Shpëtimit’, i përbërë nga forcat politike, aktivizon Fatmir Haklajn për riorganizimin e komisariatit dhe vendosjen e rendit dhe të qetësisë në Tropojë. Nga fundi i këtij viti Fatmir Haklaj emërohet shef i Komisariatit të Tropojës. Kujtojmë se ishte pikërisht Fatmir Haklaj ai që pengoi dërgimin e forcave të organizuara dhe të armatosura drejt Vlorës për të shtypur revoltat popullore në mars 1997. President i vendit ishte Sali Berisha. Ky fakt njihet botërisht.

Në datë 18.09.1997, oficeri i Policisë së Komisariatit të Shkodrës, Haki Hoxha, bashkë me Guxim Biberajn, organizojnë një miting të paligjshëm, të iniciuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës. Fatmir Haklaj, duke qenë në detyrën e Shefit të Komisariatit, nuk e lejoi zhvillimin e këtij mitingu. Ai merr pjesë në shpërndarjen e këtij mitingu të paligjshëm, duke qëlluar me shuplakë publikisht Haki Hoxhën. Pikërisht është ky një nga drejtuesit e organizatës kriminale. Pasi u vu në dijeni edhe të kësaj ngjarjeje, Sali Berisha ka urdhëruar Haki Hoxhën etj, të krijonin një bandë të armatosur dhe një organizatë kriminale, pjesëtarë të së cilës ishin Haki Hoxha, Jonuz Hyka, Përparim Hyka, Myftar Lumneshi, Hajredin Haluci, Tahir Sejd Hoxha, Iljaz Adem Hoxha, Ilir Adem Hoxha, Selim Sejd Hoxha, Agim Sejd Hoxha, Çut Sylejman Neza, Sadri Sylejman Neza, Xhafer Baram Hoxha, Medi Baram Hoxha, Hysni Beqir Gosturani, Guxim Qazim Byberi etj.

Në datë 5 janar 1998, në orën 16 e 15’ vriten në pritë në Qafën e Luzhës me armë zjarri Shkëlqim Haklaj dhe kunati i tij, Artur Demiri. Së bashku me ta në makinë udhëtonte dhe polici Avdi Mehmet Buçpapaj, i cili plagoset lehtë. Edhe ky është qëlluar me armë zjarri nga grupi kriminal që ishte në pritë, të armatosur rëndë me armë automatike. Ish-polici, Avdi Buçpapaj ka njohur në pritë të kallëzuarin Haki Adem Hoxha, ish-polic në Shkodër në atë kohë, si dhe vëllezërit e tij, Ilir Adem Hoxhën, Iljaz Adem Hoxhën, të cilët kishin të njëjtën veshje si Haki Hoxha. Dëshmitari okular, i cili mbeti vet i plagosur, Avdi Buçpapaj, ka parë si pjesëtar të bandës së armatosur që kishin organizuar pritën dhe vranë Shkëlqim Haklajn dhe Artur Demirin edhe të kallëzuarit Medi Baram Hoxha dhe Xhafer Baram Hoxha. Këta dy të fundit janë djemtë e xhaxhait të Haki Hoxhës. Në pritë ishin afro 20 pjesëtarë, të pajisur me automatikë, mitralozë të lehtë. Avdi Buçpapaj këtë ngjarje e ka bërë me dije në fshatin Vlad, si dhe ua ka shpjeguar me hollësi Muharrem Haklajt, Fatmir Haklajt, Hamdi Haklajt, Ajshe Haklajt, Zylfije Haklajt.

Dëshmitar okular në vendngjarje është edhe një fshatar nga fshati Luzhë, të cilin për arsye sigurie emrin do e paraqesim gjatë fazës së hetimeve. Nga ky atentat, Artur Demiri ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa Shkëlqim Haklaj ka mbetur i plagosur rëndë dhe kur ka dalë nga makina ka qëlluar në drejtim të pritës, duke i thirrur Haki Hoxhës ‘’A’ty të pagoi Saliu me n’a vra o Haki’’. Këto fjalë i ka vërtetuar edhe e kunata e Haki Hoxhës, (gruaja e Shaqir Hoxhës), e cila ka pohuar se Shkëlqimi kishte mbetur i gjallë dhe i ka thërritur Haki Hoxhës dhe Avdi Bushpepës. Haki Hoxha nga dt 05.01.1998 e në vazhdim nuk ka shkuar në punë në Komisariatin e Policisë Shkodër, sikurse edhe vëllai i tij, Qamil Adem Hoxha, nuk ka shkuar më në punë në Degën e Sigurimeve Shoqërore “Bajram Curri”, dhe djali i tij është mbyllur gjithashtu në shtëpi, duke e lënë shkollën e mesme. Njerëz të afërm të Familjes “Haklaj” nga fshati Luzhë, kur kanë ardhur në ceremoninë mortore në datën 06.01.1998 në shtëpinë e Muharrem Haklajt, kanë pohuar se rruga që kishin bërë kalonte te shtëpia e Haki Hoxhës dhe kanë parë në oborrin e shtëpisë së tij shumë njerëz të armatosur. Në datën 05.01.1998 në shtëpinë e Medi Baram Hoxhës është zhvilluar një mbledhje e Lagjes. Megjithëse kjo mbledhje ishte planifikuar të zhvillohej në orën 18.00, për shkak të Medi Hoxhës, është zhvilluar kur ka mbërritur aty ky person në orën 22.00. Të pranishmit në këtë mbledhje deklarojnë se Medi Hoxha ka ardhur në mbledhje me rrobat ushtarake lara-lara me të cilat kishte qenë në pritën e ngritur kundër Shkëlqim Haklajt.

Në vrasjen e Shkëlqim Haklajt dhe Artur Demirit në datën 05.01.1998, të porositur, të frymëzuar dhe të paguar nga Sali Ram Berisha, kanë luajtur rolin e ekzekutorëve me pagesë Haki Hoxha, Iljaz Hoxha, Ilir Hoxha, Xhafer Hoxha, Medi Hoxha etj. Në një raport “sekret” të Shërbimit Informativ Kombëtar të vitit 1999 drejtuar ish- Presidentit të Republikës, Rexhep Mejdani dhe ish-Kryeministrit, Pandeli Majko, krahas të tjerave theksohet: “Haki Adem Hoxha është nga fshati Luzhë i rrethit Tropojë. Në vitin 1983 Haki Hoxha është dënuar me 9 vjet burg për tentativë arratisjeje dhe është liruar para kohe për arsye amnistie. Rreth vitit 1991, me fillimin e proceseve demokratike, Hakiu kalon ilegalisht në Jugosllavi e prej andej në disa shtete të Evropës Perëndimore si Gjermani, Austri etj. Në ngarkim të tij disponohen materiale për vënien në shërbim të zbulimit serb, është marrë me trafiqe të ndryshme dhe si i tillë ka qenë në kërkim nga Interpoli. Në vitin 1995, pasi vjen nga jashtë vendit si i përndjekur politik, gradohet oficer dhe emërohet shef i Rendit në Komisariatin e Tropojës.

Në fund të vitit 1996 transferohet me detyrë shef Krimesh në Komisariatin e Bulqizës. Pas disa muajsh transferohet në Shkodër, me detyrë oficer i Policisë Kufitare. Pjesëtarët e grupit të Haki Hoxhës janë në moshë të rritur, të arsimuar, kanë lidhje familjare dhe miqësore midis tyre, por shumë prej tyre janë vrarë. Ky grup ka kryer një aktivitet kriminal shumë të kamufluar, duke vepruar me shumë kujdes. Ka në përdorim lloje të ndryshme armësh dhe mjete ndërlidhjeje. Si pjesëtar të këtij grupi njihen Shaqir Hoxha (i vrarë), vëllai i Hakiut, Bislim Demiri (i vrarë), Avdyl Matoshi (i vrarë), Naim Dizdari (i vrarë), kunati i Hakiut, vëllezërit Sokol e Shkëlzen Kurtbala. Njëri nga lidhjet e këtij grupi është shprehur se është e vështirë të njihen pjesëtarët e këtij grupi, pasi veprimet i kryejnë me shumë kujdes dhe në fshehtësi”, theksohet në informacionin e SHISH-it për grupin e Haki Hoxhës.

Më 5 maj të vitit 1999, në vendin e quajtur Parvove të Pukës, vriten me armë zjarri Ilir Konashevci, nga Podujeva e Kosovës dhe Hazir Malaj, mjek, që të dy lidhje të ngushta të Fatmir Haklajt. Nga shkëmbimi i zjarrit midis dy palëve mbeti i vrarë Agim Demiri, lidhje e Haki Hoxhës. Agim Demiri bashkë me vëllain, Bislim Demiri, shofer në Komisariatin e Policisë Tropojë, i kanë mbajtur nën vëzhgim viktimat, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj për rreth 10 ditë në Tiranë dhe kur ata janë nisur për në Tropojë i kanë ndjekur me makinën e tyre derisa kanë kaluar në Fushë-Arrëz dhe më pas u kanë zënë pritë dhe i kanë vrarë”, shkruhet në raport. Sipas informacionit, pjesëtarët e këtij grupi janë autorët e disa pritave me mina ndaj Fatmir Haklajt e grupit të tij...” Vrasja e Shkëlqim Haklajt u bë në orën 16. 15’ të datës 5 janar 1998. Në orën 16. 35’, në Selinë e PD-së në Tiranë u bë i ditur ky njoftim. Ende nuk ishte vënë në dijeni për këtë vrasje as Komisariati i Policisë Tropojë, as Ministria e Brendshme, sepse ende rrjeti i komunikimit të kohës ishte shumë problematik, për mungesë të telefonisë. Ndërsa Sali Berisha, urdhëruesi i kësaj vrasjeje dhe krijuesi dhe drejtuesi i “Bandës së Amatosur”, u vu në dijeni menjëherë, në sajë të telefonit satelitor që i kishte vënë në dispozicion njëri prej anëtarëve të Bandës së Armatosur, njeriu i afërt dhe shumë i besuar i tij.

Në datën 06.05.1999, në vendin e quajtur “Varret e Shalës”, rreth 100 metër pranë një muri mbajtës të rrugës, janë vendosur dy mina me telekomandë nga e njëjta “Bandë e Armatosur” që krijoi, frymëzoi dhe hodhi në veprim Sali Berisha kundër familjes Haklaj. Këto dy mina u vendosën pikërisht këtu për të vrarë Fatmir Haklajn, i cili ishte i detyruar të kalonte pikërisht në këtë rrugë për të shkuar në punë. Fatmir Haklaj ishte së bashku me Shpëtim Gjyriçin, Sami Kërnajën, Eduard Osman Haklajn. Ishin duke udhëtuar me një Land Rover, me shofer Shpëtim Gjyriçin. Në vendin e quajtur “Sopot”, në Babinë, kanë marrë në makinë edhe një person tjetër. Makina Land Rover ishte në pronësi të Bashkim Gjyriçit. Këtë makinë Bashkim Gjyriçi e kishte blerë nga Hysni Ismailukaj, i cili është i ati i Arlind Ismailukaj, ish-shefit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë. Shpëtim Gjyriçi e kishte marrë këtë makinë një natë më parë. Në momentin që makina me personat e latrtpërmendur brenda saj mbërriti në vendin ku ishin vendosur minat, ato u aktivizuan nga “Banda Kriminale” dhe mbeti i vrarë kushëriri i Fatmir Haklajt, i quajturi Eduard Osman Haklaj. Fatmir Haklaj, Sami Kërrnaja dhe Shpëtim Gjyriçi mbetën të plagosur.

Hapja e “Dosjes Tropoja”/ Si u eliminuan djemtë e familjes
Fatmir Haklaj

Personat që i sollën dhe i aktivizuan këto mina ishin Jonuz Hyka, Përparim Hyka dhe një person tjetër. Jonuz Hyka, i cili në atë kohë ishte Drejtor i Policisë së Qarkut Kukës, siguroi minat. Disa ditë para se të vendoseshin këto mina në vendin e quajtur “Varret e Shalës”, Jaho Mulosmani i kishte marrë Jonuz Hykës, në mesin e qytetit, makinën e punës së policisë Land Rover, ngjyrë e bardhë, Jonuz Hykës. Jaho Mulosmani e bëri këtë veprim sepse, duke qënë Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Tropojë, meqënëse kjo makinë ishte destinuar për Sektorin e Kufirit, padrejtësisht ishte marrë dhe përdorej prej Jonuz Hykës. Kjo makinë policie që dispononte Jonuz Hyka ishte e njëllojtë me Land Rover-in ku ishin duke udhëtuar Fatmir Haklaj etj, të cilët u sulmuan me aktivizimin e minave, ku mbeti i vrarë Eduard Osman Haklaj. Dëshmitari kryesor për këtë ngjarje është edhe Fatmir Arif Arifaj, i cili ka qenë prezent në vendngjarje. Nga ana tjetër, në vendngjarje është fiksuar e gjetur edhe një radio policie tip i vjetër. Këtë radio e ka marrë Jonuz Hyka. Në dosjen e Prokurorisë për këtë ngjarje (çështje e pezulluar) gjendet fotografia dhe numri i serisë së kësaj radio. Dy dëshmitarë, të cilët identifikohen dhe janë gati të japin deklarimet e tyre nëse merren në mbrojtje nga organi i akuzës, kanë parë ditën e ngjarjes në Qafën e Mejdanit, Përparim Hykën dhe një person tjetër, të veshur me rroba ushtarake, me gjoksore dhe automatikë në krahë, si dhe me një çantë shpine, në të cilën kishin minat e telekomanduara, që po udhëtonin në drejtim të varreve të Shalës, pikërisht aty ku ishin vendosur minat.

Këta dy dëshmitarë, që janë vendali, deklarojnë se së bashku me Përparim Hykën dhe Rasim Lumneshin ishte edhe një person tjetër, i gjatë mbi 1 metër e 80 cm, i veshur po si dy të parët, por që nuk u njoh prej këtyre dy dëshmitarëve sepse ishte “jabanxhi”. Nga karakteristikat që tregojnë këta dy dëshmitarë, nga mënyra e të folurit jugor, të krijohet bindja se personi i tretë me ta të ketë qenë Sokol Koçiu, i cili ishte shoku i ngusht i Jonuz Hykës dhe vëllait të tij Përparim Hyka. Në disa intervista dhe ambiente publike, Sokol Koçiu ka bërë deklarata të ndryshme se është personi që di shumë për vrasjen e vëllezërve dhe fisit “Haklaj”. Ky person ka marrë për studim në Tiranë në vitin 1999 të gjitha dosjet penale nga Prokuroria e Tropojës. Në të njëjtin vend te “Varret e Shalës”, dy muaj më vonë, pikërisht në datën 05.07.1999, janë gjetur dy mina të tjera, të të njëjtit tip, të të njëjtës mënyrë komandimi me radio dhe me bobinë, janë aktivizuar kundër makinës së Gani Sherif Kërrnajës. Në këtë makinë ishin edhe 4 (katër) fëmijë të moshës 10-15 vjeç dhe makina drejtohej nga një shofer 16-17 vjeç. Edhe këto mina të telekomanduara për të bërë aktin terrorist janë vendosur dhe komanduar nga Jonuz Hyka, Përparim Hyka etj. Nga aktivizimi i këtyre minave, është rrokullisur makina dhe të gjithë fëmijët e ndodhur në makinë, së bashku me shoferin, djalë të ri, mbetën të gjithë të plagosur, por asnjëri prej tyre, për fatin e mirë, nuk gjeti vdekjen. Këta pjesëtarë të “Bandës së Armatosur” të krijuar dhe të drejtuar nga Sali Berisha menduan se së bashku me këta 5 fëmijë, në makinën e Gani Kërrnajës, të ishte edhe Fatmir Haklaj. Ky akt terrorist provohet edhe me një telefonatë që i ka bërë pikërisht ditën e ngjarjes nga Gjermania një anëtar i bandës, një të afërmi të tij në Bajram Curri, duke i thënë: “Përderisa në makinë nuk paska qenë Fatmir Haklaj dhe Feriz Kërrnaja, shyqyr që paskan shpëtuar fëmijët! Kjo tregon nga ana tjetër se në këtë akt terrorist ka qenë i angazhuar vëllai i Myftar Lumneshit, së bashku me Jonuz dhe Përparim Hykën. Lidhjet e Sali Berishës dhe të gjithë familjes së tij me Myftar Lumneshin dihen botërisht dhe vet Sali Berisha i ka pranuar këto lidhje të fuqishme me anëtarë të fuqishëm të “Bandës së Armatosur”, të cilët në vazhdimësi, edhe më 14 shtator 1998, morën pjesë me armë për të risjellë në pushtet Sali Berishën. Myftar Lumneshi ishte një nga organizatorët kryesorë në sulmin te kryeministria më 14 shtator 1998. Ky moment është i dokumentuar. /Pamfleti

haklaj dosja vrasje

Lini një Përgjigje