TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Korrik 2025, 08:43

Fluturimi Itali-Tiranë-Kajro: Precedent i frikshëm për deportimet

Shkruar nga Hope Barker & Vladimir Karaj

Fluturimi Itali-Tiranë-Kajro: Precedent i frikshëm për deportimet

Me deportimin e drejtpërdrejtë të pesë egjiptianëve nga Tirana në Kajro, grupet e të drejtave të njeriut dhe ekspertët ligjorë thonë se strategjia e Italisë për migracionin jashtë vendit ka marrë një kthesë të rrezikshme.

Më 9 maj, një aeroplan çarter fluturoi nga aeroporti Fiumicino i Romës për në Tiranë, kaloi nëntëdhjetë minuta në pistë dhe më pas u nis përsëri, këtë herë me destinacion Kajron me pesë shtetas egjiptianë në bord.

Nuk pati asnjë njoftim për shtyp, asnjë njoftim zyrtar. Megjithatë, fluturimi shënoi deportimin e parë të drejtpërdrejtë të azilkërkuesve të refuzuar nga Italia sipas një marrëveshjeje për azil jashtë vendit me Shqipërinë.

Kjo marrëveshje, sipas së cilës Shqipëria pranoi të priste përpunimin e migrantëve dhe refugjatëve të kapur gjatë rrugës për në Itali, është përballur me sfida ligjore dhe pikëpyetje mbi kostot.
Midis tetorit 2024 dhe janarit 2025, Italia dërgoi 73 migrantë dhe refugjatë me anije përtej Adriatikut në Shqipëri, vetëm për t'i parë ata të ktheheshin shpejt me urdhër gjykate.

E goditur nga kritikat ndaj planit, qeveria e krahut të djathtë e kryeministres Giorgia Meloni i ndryshoi emrin këtyre objekteve në mars, duke thënë se ato do të përdoren për të “riatdhesuar” ata që kishin mbërritur në Itali, por që u ishin refuzuar kërkesat për azil.

Që nga kjo ndërrim, mbi 100 persona kanë kaluar nëpër mjediset e Shëngjinit dhe Gjadërit. Burime brenda policisë kufitare shqiptare thonë se një numër fluturimesh çarter janë nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës drejt vendeve të panjohura, por me përfshirjen e ngushtë të ambasadave të Egjiptit dhe Nigerisë.

E para ndodhi më 9 maj, siç u raportua fillimisht nga revista italiane Altreconomia dhe u konfirmua më vonë nga ministria e brendshme italiane. Fati i pesë pasagjerëve egjiptianë mbetet i panjohur.

Ky deportim nga Shqipëria në Egjipt vendos një precedent të rrezikshëm për deportimet jashtëterritoriale sipas politikës së migracionit të BE-së”, tha Nour Khalil, Drejtoreshë e Platformës së Refugjatëve në Egjipt. “Është një shembull tjetër i gatishmërisë në rritje të shteteve evropiane për të anashkaluar mbrojtjet ligjore dhe për të transferuar përgjegjësitë e tyre te vendet e treta.”

Khalil hodhi poshtë idenë se Egjipti, i udhëhequr nga një regjim i mbështetur nga ushtria nën Presidentin Abdel-Fattah el-Sisi që nga një kundërrevolucion i vitit 2013 i orkestruar nga forcat e armatosura, ishte një “vend i sigurt” për të kthyerit.

Mijëra njerëz përballen me ndalim arbitrar, zhdukje me forcë, gjyqe të padrejta dhe persekutim pas mbërritjes”, tha ai për BIRN. “Tortura është gjithashtu e zakonshme në stacionet e policisë. Italia është shumë e vetëdijshme për këtë. Ne kemi dokumentuar raste të egjiptianëve që i janë nënshtruar gjyqeve të padrejta pas kthimit të tyre me forcë, përfshirë njerëz që më vonë vdiqën në burg.”

Përfshirja e ambasadave të Nigerisë dhe Egjiptit

Fluturimi Itali-Tiranë-Kajro: Precedent i frikshëm për deportimet
Porta hyrëse në qendrën e paraburgimit të emigrantëve në Gjadër në Shqipëri. Foto: BIRN/Vladimir Karaj

E përshëndetur nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen si një model i mundshëm për “qendrat e kthimit” jashtë BE-së, marrëveshja Itali-Shqipëri është kritikuar nga mbikëqyrësit e të drejtave të njeriut si shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar.

Kritikët në Itali thonë se çmimi i tij – i cili filloi në 39.2 milionë euro dhe u rrit në mbi 74 milionë – është shumë më tepër sesa ai që Italia ka shpenzuar për objekte të ngjashme në vend, ndërsa përzgjedhja e kontraktorëve për ndërtimin është kritikuar për mungesë transparence.

Përpara 9 majit, deportimet nga Shqipëria kishin përfshirë individë që ktheheshin në Itali përpara se të dërgoheshin në vendet e tyre të origjinës. Fluturimi Romë-Tiranë-Kajro shënoi një ndryshim taktik.

Sipas të dhënave të prokurimit , të cilat janë publike, fluturimi çarter për në Egjipt ishte rregulluar disa javë më parë: më 28 prill, ministria e brendshme italiane lëshoi një tender për fluturimin pavarësisht faktit se, në atë kohë, asnjë shtetas egjiptian nuk ishte ndaluar në qendrën e Gjaderit në Shqipëri. Deri në javën e dytë të majit, pesë egjiptianë ishin transferuar në qendër nga Italia.

Sipas Altreconomia, më 8 maj ministria nënshkroi një kontratë me vlerë 113,850 euro me Professional Aviation Solutions, PAS, një firmë private që ka kryer rregullisht fluturime dëbimi në emër të shtetit italian. Tenderi specifikonte shërbimin si "blerjen e një shërbimi me qira avionësh dhe shërbimeve të lidhura me të për riatdhesimin e qytetarëve egjiptianë, të shoqëruar nga oficerë policie, që do të kryhej me fluturim më 9 maj 2025", raportoi Altreconomia.

Të nesërmen, një avion i PAS fluturoi nga Roma për në Tiranë, ku pesë egjiptianët u morën dhe u çuan në Kajro. Burime brenda policisë kufitare shqiptare dhe kampit të Gjaderit konfirmuan për BIRN se ambasada egjiptiane organizoi transferimin e tyre nga Gjaderi në aeroportin e Tiranës.

Sipas raportit të Altreconomia, fluturimi kushtoi 31,779 euro më shumë se fluturimi i fundit i dëbimit që Italia kreu nga Roma në Egjipt, i cili transportonte të njëjtin numër njerëzish, një kosto tjetër që qeveria e Melonit do ta ketë të vështirë ta justifikojë pasi tashmë ka bastisur buxhetet kombëtare të ministrive të arsimit, shëndetësisë dhe kulturës, si dhe fondet e emergjencës për katastrofat klimatike, për të financuar marrëveshjen me Shqipërinë.

Një oficer policie shqiptar i stacionuar në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza të Tiranës konfirmoi përdorimin e disa fluturimeve çarter që transportonin të deportuarit.

"Zakonisht ka katër ose pesë persona [në bord]. Ne nuk e dimë destinacionin; ata nuk na e tregojnë", tha oficeri, duke folur në kushte anonimiteti.

“Normalisht, këta njerëz duhet të shkojnë në Itali përpara dhe nga Italia kthehen në vendet e tyre të origjinës. Por këto janë fluturime çarter; nuk është se e dimë se ku shkojnë pasi nisen. Ne thjesht marrim një listë nga Drejtoria e Përgjithshme [e Policisë së Shtetit Shqiptar] dhe ata na thonë të lehtësojmë procedurat. Kishte edhe nigerianë dhe kombësi të tjera.”

Një burim i dytë që punon në Gjader, i cili gjithashtu kërkoi të mos identifikohej, shtoi se autoritetet konsullore nga ambasadat egjiptiane dhe nigeriane ndihmuan në lëshimin e dokumenteve të udhëtimit dhe koordinimin e deportimeve.

I njëjti burim tha se shtetasit egjiptianë u përpunuan shpejt, duke qëndruar vetëm tre ditë në objektin Gjader, ndërsa shtetasit nigerianë morën më shumë kohë dhe u deportuan me fluturime të shumta. Asnjëra ambasadë nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Aktivistët e migracionit dhe miqtë e të dëbuarve në Egjipt thonë se nuk kanë qenë në gjendje të gjurmojnë se çfarë u ndodhi të pesë personave pas mbërritjes së tyre në Kajro.

Trillim ligjor ekstraterritorial

Fluturimi Itali-Tiranë-Kajro: Precedent i frikshëm për deportimet
Policia italiane ofron siguri gjatë mbërritjes së emigrantëve me anije në portin e Shëngjinit, Shqipëri. Foto: BIRN/Nensi Bogdani

Autoritetet italiane argumentojnë se objektet në Shqipëri funksionojnë si zgjerime ekstraterritoriale të juridiksionit italian. Grupet e të drejtave të njeriut dhe studiuesit ligjorë thonë se ky është një trillim ligjor.

"Nuk mund të pretendosh thjesht se një vend në Shqipëri i nënshtrohet disi ligjit italian. Sidomos kur njerëzit e ndaluar atje nuk kanë qasje në gjykatat, avokatët apo kujdesin shëndetësor italian", tha Andreina de Leo, një studiuese e ligjit të BE-së dhe anëtare e Shoqatës për Studime Juridike mbi Imigracionin, ASGI. 

Kritikët thonë se deportimi i 9 majit nuk e zgjidhi këtë kontradiktë. Vetëm sa e bëri atë më të dukshme.

Kryerja e deportimeve nga aeroporti i Tiranës i vendos operacionet e riatdhesimit të Italisë në tokë të huaj, ku mbrojtjet ligjore të BE-së, siç janë të drejtat e apelimit, mbrojtjet procedurale dhe monitorimi i pavarur, nuk janë të garantuara.

Duke injoruar paralajmërimet, Komisioni Evropian po vazhdon me përpjekjet për të transferuar përpunimin e azilit dhe deportimet në vende të treta.

Në prill të vitit 2024, ndërsa objektet në Shqipëri po përgatiteshin, ministria e brendshme e Italisë theksoi se të gjithë individët e mbajtur në Shqipëri do të ktheheshin në Itali para deportimit.

Megjithatë, pasi u përhap lajmi për fluturimin e 9 majit, ministria lëshoi një deklaratë duke konfirmuar fluturimin dhe duke deklaruar se riatdhesimet e drejtpërdrejta nga Shqipëria janë ligjërisht të lejueshme sipas “marrëveshjeve pasuese” të Protokollit Itali-Shqipëri.

De Leo, nga ASGI, e quajti rastin një "flamur të kuq" që vendosi një precedent të rrezikshëm.

Protokolli Itali-Shqipëri është cilësuar si një ‘mësim’ për Evropën se si të përshpejtojë përpunimin e azilit dhe deportimet, por realiteti është se është i kushtueshëm, mizor dhe me shumë mundësi i paligjshëm.” /BIRN

*Shënim: Titull redaksional

Lini një Përgjigje