
Gjykata e Lartë ka caktuar seancën gjyqësore të rekursit për Ervin Salianjin në datën 11 mars 2025, në orën 10:00.
Mësohet se relator i çështjes është caktuar gjyqtari Sokol Binaj.
Salianji kishte depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër dënimit të tij me një vit burg. Në shkresën e rekursit, Salianji thotë se kundërshton vendimin e datës 18 dhjetor 2019 të Gjykatës Penale, por edhe vendimin e datës 26 shtator të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Kujtojmë që më 15 tetor, Gjykata e Lartë refuzoi një kërkesë të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, për pezullimin e dënimit me 1 vit burg nga Apeli.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Ndërkohë më 26 shtator, Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të dënimit me 1 vit burg për veprën penale të kallëzimit të rremë për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ndërsa ky i fundit e quajti procesin të montuar dhe veten si të dënuar politik.
Prej 26 shtatorit të këtij viti, Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit duke kryer dënimin.
Lini një Përgjigje