
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa teksa bëri një analizë të ngjarjeve kriminale të ndodhura së fundmi në vend, u shpreh se situata është shqetësuese dhe se rrisin ndjenjën e pasigurisë te qytetarët.
Ai deklaroi se shteti është shumë i dobët përballë këtyre grupeve kriminale dhe fakti që të gjithë atentatet e fundit janë ende pa autorë, e tregon këtë. Sipas tij, nuk është vetëm Policia e Shtetit fajtore për këtë ngjarje, por shumë institucione të tjera përgjegjëse.
“Po flasim për të disatën herë pafundësisht për ngjarje të njëjta që pavarësisht nga emri i qytetit, mënyra e organizimit, ato ngjasojnë. Janë ngjarje kriminale të cilat janë të mirë organizuara, janë të planifikuara dhe si të tilla janë realizuar fatkeqësisht deri tani pa autor. Përmendim, ngjarja më e rëndë ishte ajo që ju e përmendët dhe mediat e kanë trajtuar gjerësisht rasti i Rinasit, por dhe kjo e Elbasanit dhe ngjarje të tjera gjatë 2025-ës të cilët ende janë pa autor. Dhe shqetësimi real i kujdo është sa të sigurt jemi dhe a mjafton vetëm të themi që Shqipëria është një vend i sigurt? Nuk besoj se kjo duhet të ishte motoja që do të mbulonte problematikat që kemi. Dhe problematikat jo gjithmonë duhet t'ia ngjisim policisë së shtetit, sepse këtu kemi të bëjmë me shtetin shqiptar, jo me policinë shqiptare. Dhe këtu ka disa institucione të cilët janë përgjegjëse”, tha Softa për ‘OraNews”.
Lini një Përgjigje