Në vend që të shpëtojë jetë, Trauma rri peng e bareve dhe hapësirave të zaptuara...
Për të kuptuar se “aksioni” për lirimin e hapësirave publike është thjeshtë një flluskë propagande, mjafton një shëtitje e vogël tek institucioni më i rëndësishëm shëndetësor në vend: Spitali i Traumës, i njohur gjerësisht si Spitali Ushtarak. Dikur një diamant i mjekësisë shqiptare, dhuratë e italianëve, sot është kthyer në shembullin më të qartë të rrumpallës dhe batërdisë së pangopësisë.
Para pak ditësh, një incident tragjik u shndërrua në rutinë të padukshme: u prenë një numër i madh pemësh ulliri që dikur zbukuronin oborrin e gjelbër, për t’i hapur vend kanaleve të ujrave të zeza. Në kohën e pushtimit italian, Jakomoni, mëkëmbësi i Victor Emmanuel III, nuk do të toleronte një gjë të tillë. Në kohën e diktaturës, Enver Hoxha do të shpallte armik dhe do të degdiste të gjithë familjen e drejtorit.
Sot? Drejtoresha aktuale, ish-deputete socialiste Edlira Bode, ekzekuton pemët si pa gjë të keq. Për të, prerja e ullinjve duket pjesë e një logjike “bashkëkohore”, pa marrë parasysh faktin se po privon pacientët dhe ambientin e nevojshëm për ajrin që thithin të sëmurët.
Por pemët nuk janë viktimat e vetme. Çdo hapësirë e spitalit është e zaptuar nga privatët: parkingu, kateringu, baret, gjithçka funksionon me çmime si në resortet më të shtrenjta në Shqipëri. Hallexhinjtë, edhe kur vijnë me të sëmurë, kalojnë një udhëtim të ngjashëm me Magelanin për të arritur tek pavijonet, të cilat ngjajnë me një variant të Kalkutës.
Historikisht, toka për Spitalin e Traumës dhe zonat përreth është blerë nga qeveria italiane dhe më pas u kalua shtetit shqiptar. Nuk ka asnjë pengesë që spitali të zotërojë dhe përdorë hapësirat, të investojë dhe të rrisë personelin. Por realiteti është ndryshe: privatët kanë marrë frymën spitalit, pengojnë pacientët dhe personelin, ndërkohë që reformistët qeveritarë sulmojnë vetëm baret e vogla.
Pikërisht këtu fshihet absurditeti i situatës: një spital i rëndësishëm kombëtar, i cili duhet të jetë shembull i shërbimit publik dhe organizimit, sot është një skenë krimi të heshtur. Një vend ku SPAK, me kohë, do të duhej të kishte hapur hetimet e tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje