Qeveria i heq KQZ-së depot zgjedhore dhe i kalon FSHZH-së për t’i kthyer në pasuri ndërtimi; trualli publik në Lundër përfundon në listën e pronave që Rama ua shpërndan klientëve...
Me VKM nr. 722, datë 3 dhjetor 2025, Edi Rama ka hequr Komisionit Qendror të Zgjedhjeve katër magazina të Rezervave të Shtetit në Lundër, të përdorura për arkivën dhe logjistikën zgjedhore, duke ia kaluar administrimin Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Sipas burimeve të “Pamfleti”, 3,152 m² truall publik janë piketuar për t’u dhuruar një kompanie të lidhur me kryeministrin, si vazhdim i projekteve të vilave, pallateve dhe hoteleve në zonë. Trualli lakmohet nga bizneset pranë Ramës, por nuk përjashtohet që, si pjesë e pazarit politik me Sali Berishën, të përfitojë kompania “Kontakt Sh.p.k” e të pandehurve Fatmir Bektashi dhe Jamarbër Malltezi. Pika nr. 2 e VKM-së, që ndalon ndryshimin e destinacionit, është thjesht formalitet: Rama e ka përdorur të njëjtin skenar për pasuritë qeveritare në bregdet, për “Asllan Rusi”, “Zyber Hallulli”, stadiumet, truallin e Durrësit për kullat “Alabbar”, depot e Elbasanit dhe repartet ushtarake. Grabitja e pasurive publike vijon me të njëjtin ritëm, ndërsa institucionet heshtin.
Pas dhurimit të 105 mijë m² magazinave dhe trojeve të Rezervave të Shtetit në Labinot-Fushë të Elbasanit për kompaninë “Rozafa” të peshkatarit trafikant Gjergj Luca, kryeministri Edi Rama i është vërsulur tashmë disa magazinave të tjera të Rezervave të Shtetit, në zonën e Lundrës në Tiranë.

Me Vendimin nr. 722, datë 3 dhjetor 2025, të firmosur prej tij, Rama i ka hequr Komisionit Qendror të Zgjedhjeve katër ndërtesa që përdoren si magazina-arkivë për kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore, duke ia kaluar administrimin Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti”, këto katër magazina të Rezervave të Shtetit në Lundër, me sipërfaqe 3,152 m², janë piketuar për t’u dhuruar një kompanie të lidhur me kryeministrin, si vijim i komplekseve të vilave, pallateve dhe hoteleve të ngritura në atë zonë.

Kjo sipërfaqe shtetërore lakmohet prej disa ndërtuesve të afërt me Ramën, por nuk përjashtohet mundësia që, si shpërblim pazaresh politike me Sali Berishën, trualli t’i kalojë kompanisë “Kontakt Sh.p.k” të të pandehurve Fatmir Bektashi dhe Jamarbër Malltezi, të cilëve Rama u ka dhënë leje për komplekse banimi në të njëjtën zonë.
Me hyrjen në fuqi të vendimit qeveritar, katër godinat dhe trualli i tyre janë marrë në administrim nga Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i njohur për zbatimin e pazarëve të Ramës me pasuritë dhe fondet publike.
Në pikën nr. 2 të vendimit të qeverisë thuhet se Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të objekteve. Por, si në çdo rast tjetër të grabitjes së pronës shtetërore përmes VKM-ve, ky është një përcaktim formal dhe i përkohshëm.

Siç ka ndodhur në të gjitha rastet e mëparshme, do të jetë përsëri Edi Rama ai që do ta ndryshojë shumë shpejt vendimin, duke i kaluar objektet dhe truallin për zhvillim urban te bizneset private për pallate, kulla dhe vila.
Kështu është vepruar me rezidencat qeveritare në bregdet, me pallatin e sportit “Asllan Rusi”, me Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, me stadiumet në Tiranë, Durrës, Vlorë e Korçë, me truallin në Portin e Durrësit për kullat “Alabbar”, me magazinat e Rezervave në Elbasan, me repartet ushtarake dhe me çdo aset tjetër publik që Rama e ka përdorur si mall pazari politik e klientelist./Pamfleti
Lini një Përgjigje